Transmetuar më 12-03-2019, 11:38
Foto arkiv, te ndaluarit ne gjykate

Kanë dalë sot para Gjykatës së Apelit për të ankimuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, 19 personat e prangosur lidhur me protestën e opozitës më 16 shkurt para Kryeministrisë.

Apeli ka vendosur të mos e pranojë ankimin e të pandehurve, me pretendimin se nuk është formuluar në mënyrën e duhur.

Kështu është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës, ku ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës në kohën e PD, Florenc Hoxha dhe të ndaluarit e tjerë, Resul Daci, Ilir Hamedinin, Sajmir Rexhepi, Agim Peposhi dhe Ferit Dankshi të mbeten në qeli.

Sakaq nën “arrest shtëpie” do të qëndrojnë Naim Hoxha, Festiom Taku, David Linati, Emanuel Nallbani, Andon Nasigjini, Edjon Dine dhe Velion Tuci.

Masa detyrim paraqitjeje u la në fuqi për Luftar Jakupin, Hasan Jakupin, Shpresa Linin, Mit’hat Fierakun, Suzana Dimushin dhe Pëllumb Shelnën.

Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. /a.y/noa.al