Transmetuar më 12-03-2019, 09:58

Pas episodeve të fundit të rrahjes sporadike ndaj bluzave të bardha, paraditen e sotme mjekët e QSUT në Tiranë dhe ata në spitalin e Shkodrës kanë dalë në protestë.

Mjeku Arjan Harxhi, duke folur nga protesta në QSUT, tha se spitalet janë ambiente që ofrojnë siguri dhe shpëtojnë jetë.

Ai bëri thirrje ndaj politikës që të marrë masa dhe se goditja në krye të detyrës duhet të marrë ndëshkimin e merituar.

Nga ana e tij mjeku Tritan Kalo, kërkoi ndëshkim të ashpër për ata që vënë dorë mbi bluzat e bardha, duke kujtuar edhe propozimin e kryeministrit Edi Rama për të dënuar me tre vite qëndrim në qeli për ata që kalojnë vijat e bardha në futboll.

“Mos harroni që në 1997 kur tërë shteti u shkërmoq, ishin mjekët ata që qëndruan gati për të ofruar ndihmë. Nuk i keni nga mjekët problemet, nuk jeni të varfër nga mjekët, e nëse flitet që për ata që shkelin barin në fushën e futbollit se do të dënohen 3 vjet, ata që godasin mjekët e kanë pak edhe 30 vjet”, tha Kalo.

Po ashtu protestës i është bashkuar edhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli e cila ka kërkuar ashpërsim të Kodit Penal për rrahjen e mjekëve. /a.y/noa.al

Mjeket e Shkodres ne proteste on Vidnews.