Zbardhet vendimi për Dritan Dajtin, 269 faqet që i hoqën dënimin e përjetshëm
Transmetuar më 11-03-2019, 20:45

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që i hoqi burgimin përjetë Dritan Dajtit. Top Channel mësoi ekskluzivisht se, në afatet e fundit kohore, gjyqtarët dorëzuan 269 faqet me argumentet e tyre që sollën ndryshimin e dënimit të 47-vjeçarit, për vrasjen e 4 efektivëve të policisë 10 vite më parë. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka shfletuar argumentet e pesëshes së gjyqtarëve.

Pesë gjyqtarët e deleguar për çështjen “Dajti” zbardhën dhe dorëzuan vendimin në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda pikërisht në momentin e fundit kur edhe skadonte afati 30-ditor për dorëzimin e tij.

Gjyqtarët argumentojnë vendimin se përse ata aplikuan gjykimin e shkurtuar, duke sjellë në këtë mënyrë zbritjen e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij me 25 vite burgim, për akuzën e vrasjes së 4 oficerëve të Policisë së Shtetit.

Si argument kryesor sillet jurisprudenca e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, e madje edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që e parasjell ritin e gjykimit të shkurtuar si një e drejtë për të pandehurit.

Me këtë argument, gjyqtarët e Apelit thonë se duhet rrëzuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte kundërshtuar kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar. Gjykatësit thonë se Dritan Dajti duhet ta vuajë dënimin me 25 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.

Nga ana tjetër, gjyqtarët në vendimin prej 269 faqesh rrëzojnë pretendimin e Dritan Dajtit se ai ishte qëlluar gjatë aksionit nga efektivë policie, të cilët ai nuk i kishte identifikuar. Kjo kërkesë është e pabazuar, shprehen gjyqtarët, pasi i ndjeri Fatos Xhani ka thirrur “Ndal policia” dhe kjo vërtetohet nga dëshmitë.

Por, gjykata evidenton si problematike përfshirjen në këtë operacion të njësisë speciale, që nuk kishte në fokus arrestimin e personave të rrezikshëm. Nuk u arrit të qartësohet – thuhet më tej, – se përse përgjimi dhe vëzhgimi u transformuan në pak çaste në një aksion për kapjen e Dritan Dajtit. Madje, gjykata vendos në pikëpyetje edhe dëshminë e policëve të mbijetuar që kanë dëshmuar se ishin instruktuar përpara se të niseshin në operacion, pasi sipas gjykatës, ndryshimi i beftë i aksionit i ka gjetur ata të papërgatitur.

Përdorimi i një armë të paidentifikuar në aksion, – thuhet më tej, – e bëri të pamundur faktin se kush e ka përdorur këtë armë, me të cilën u plagos Dritan Dajti. Punonjësit e policisë nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë minimale, – thotë gjykata, – për të mbrojtur jetën e tyre gjatë këtij operacioni. Por, kjo gjë nuk e legjitimonte Dritan Dajtin të qëllonte drejt tyre, shpjegohet më tej.

E në këtë pikë, Gjykata e Apelit, duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke shpallur fajtor Dritan Dajtin për vrasjen e Kastriot Feskajt, Fatos Xhanit, Altin Dizdarit dhe Sajmir Duçkollarit.

Dritan Dajti shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për vrasjen e Ledion Marës, i cili sipas gjyqtarëve të Apelit u gjend në vatrën e shkëmbimit të zjarrit dhe është qëlluar nga një person tjetër, e jo nga Dritan Dajti.

Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 15 ditë kohë për të dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë.