Transmetuar më 11-03-2019, 16:04

Dy familje me 15 anëtarë, prej mëngjesit të sotëm kanë protestuar për banesën që prej 60 vitesh është kthyer në shtëpinë e tyre. Janë lajmëruar ditën e djeshme për të liruar ndërtesën pasi me një vendim gjykate të formës së prerë, tokës ku është ndërtuar godina i kanë dalë pronarët.

Banorët pretendojnë se pronarët e tokës Aleksandër dhe Ilir Gavoci, i kanë premtuar se do t’i japë disa banesa, por asnjë hap nuk është marrë.

Punonjësit e përmbarimit kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e shtëpisë duke qëlluar derën me shufra hekuri në sy të disa fëmijëve. Në këtë moment policia nuk ka bërë asnjë reagim, gjë për të cilën është kritikuar edhe nga ministri Sandër Lleshaj i cili ka deklaruar se policia ka detyrim ligjor të mbështesë përmbarimin dhe të tregohet efikase. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se qeveria nuk mund të dalë mbi një vendim gjykate të formës së prerë, dhe se policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit.

Lidhur me përplasjen e banorëve të shtëpive në zonën e Petro Ninit me punonjësit e përmbarimit ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai thotë se konflikti është trajtuar në Gjykatë dhe ata që e politizojnëë na kujtojnë prej kujt i kemi peshqesh këto gjykata. Veliaj ka deklaruar se Bashkia e Tiranës i ofron mbështetje banorëve me banesa sociale.

"1/2 Bashkia Tiranë nuk ka asnjë perfshirje te PNL, as ka PDV apo leje ndërtimi! Konflikti i pronarëve të tokës me banorët e një ndërtese me shtesa pa leje është trajtuar në gjykatë! Ata që e politizojnë na kujtojnë prej kujt i kemi peshqesh këto gjykata e këto plagë me pronat.

1/2 E megjithatë Bashkia Tiranë është gati që sot t’i ofrojë mbështetje me banesa sociale në kushte shumë më të mira se katet pa leje të gjithe familjeve të prekura nga ky konflikt mes Dy privatëve për pronat, kontratat e llogaritë e tyre, pavarësisht vendimit të gjykatës!", shkruan Veliaj./b.l/noa.al/