“Mendova t’i jap fund jetës”, historia e trishtë e Denadës
Transmetuar më 10-03-2019, 17:29

Përpara disa kohësh Denada ka tentuar t’i japë fund jetës duke mos patur mundësi zgjedhje për problemin e saj. Megjithëse e ka kuptuar gabimin fatal, pasojat janë ende prezente tek familjarët. Çfarë i ndodhi asaj dhe cili është mesazhi që ka për babanë dhe djalin e vogël?

Denada është 45-vjeçe dhe vjen nga qyteti i Pogradecit, në familjen e saj prej katër anëtarësh ajo ka bërë një jetë të mirë, por në moshën 15 vjeçe teksa ishte në shkollë në Korçë, vëllai i saj kaloi një sëmundje mendore dhe nga një djalë shembullor ai ndryshoi krejtësisht.

“Prindërit luftuan me sëmundjen në këtë betejë kaq të fortë dhe të dhimbshme, e çuan dhe në Greqi për ta kuruar, por nuk kishte përmirësime, nuk ndihej mirë as me veten nuk ishte social, rrinte i vetmuar, ishte edhe agresiv, kështu që ne familjarisht u lodhëm, u stresuam, nga sëmundja tepër e vështirë e vëllait. Unë mbarova shkollën dhe u ktheva përsëri në familje, vitet kalonin. Nga vëllai duhet të përballeshim edhe me problemet financiare dhe vendosëm të shisnim shtëpinë, por sëmundja e tij nuk shërohej. Ky ishte edhe problemi i parë. E vetmja lumturi dhe ndryshim që mund t’i sillte familjes sonë ishte martesa ime, unë duhet të martohesha, ata menduan që bashkëshorti im të jetonte në familjen e prindërve të mi, pata fat në mblesëri, sepse është një njeri i veçantë, mori përsipër barrën e vëllait. Unë kam dy djem, të madhin tetëmbëdhjetë dhe të dytin katërmbëdhjetë, por pas shumë e shumë vuajtjesh nëna u diagnostikua me kancer dhe ajo ndërroi jetë shumë e re 57-vjeçe, morëm edhe kredi për sëmundjen e nënës, por beteja ishte shumë e vështirë. Vështirësi pa fund, nëna nuk shpëtoi dot, por ka akoma edhe më shumë. Unë duhet të përballesha me bashkëshortin, sepse drejtimin e familjes e mbante nëna, tani duhet ta merrnim ne. Në një truall të babait menduam të ngrinim një biznes, mirëpo duhet të mendosh që do bësh shumë investime që të hysh në treg dhe ngritëm një lavazh për larje makinash dhe tapetesh, shtuam përsëri një tjetër kredi. Si çdo ditë që shkonim për në punë, një ditë na kishin hedhur tritol, u shokuam dhe nuk e kemi gjetur akoma, por është thjeshtë nga konkurenca, sepse nuk kemi asnjë konflikt. U mblodhën të gjitha, vetëm strese, shqetësime pafund, një labirint pa dalje dhe në një ditë të zakonshme isha shumë e stresuar mendova t’i jap fund jetës dhe e bëra. Fëmija gjithmonë do përkushtim në çdo fazë të jetës, duan nënën e tyre nga pas dhe për fat të mirë në atë moment erdhi djali në shtëpi, hyn në dhomën e gjumit, sepse do merrte çantën e sportit, por ai tani e ka lënë futbollin për shkakun tim pasi nuk kishte më forcë ishte i trembur dhe i llahtarisur. Unë isha në koma, më çoi në spital dhe më nisën me helikopter drejt Tiranës. Mbas daljes nga spitali nuk ndihesha mirë, çdo ditë mendoja si do ta lija familjen time dhe çfarë mëkati kisha bërë, e gjithë familja kaloi në traumë. Ata jetojnë me frikën se a do ta gjejnë mamin gjallë apo jo, sepse unë kam momente dëshpërimi, por mendoj se nuk do ta përsëris më kurrë, do e gjej forcën të jetoj për dy fëmijët e mi, bashkëshortin, babanë dhe vëllain. Ata kanë frikë dhe çdo ditë jetojnë me këtë frikë.”

Denada tregon se babai i saj është i trembur nga ajo dhe qëndron shumë gjatë në shtëpi, nuk do ta lëri vetëm. Zoti Irafan merr një ftesë për të qenë pjesë e “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe vjen në studio bashkë me nipin e tij, Enri. Në ekran shfaqet Denada, e cila i kërkon falje për shqetësimet që i ka krijuar dhe i premton se nuk do përsëritet më veprimi i saj:

“Babai, Enri, më falni për të gjitha ato shqetësime që ju shkaktova, vjet në Prill. Prilli ishte muaj shumë i vështirë për familjen tonë. Unë nuk do ta përsëris më kurrë atë veprim do të gjej forca për ju, për të gjithë, pasi ju të pestë meshkujt e familjes, prisni vetëm nga duart e mia, sepse unë jam e vetmja femër aty që mund t’ju shërbej. Enri mos ki frikë asnjëherë dhe rri i qetë në shkollë, sepse unë nuk e bëj kurrë më atë veprim, e kam kuptuar që çdo ditë ti ikën i trembur në shkollë. Mami do gjej forca të jetojë për ju. Ti do më premtosh që do mësosh akoma edhe më shumë, sepse ti ke qenë vetëm me dhjeta, por këtë vit ke rënë edhe nga mësimet. Unë e kam kuptuar që ti nuk je i qetë, prandaj nuk studion shumë gjatë tani siç lexoje në klasën e gjashtë. Ti je një piktor i shkëlqyer, ke talent pikturën do bëhesh edhe një arkitekt i zoti ku mund të drejtosh edhe një studion tënde. Mami do punojë fort me gjithë babin që ju të dilni në jetë dhe në dritë. Bashkëshorti është në Gjermani, por akoma nuk ka filluar një punë dhe po pret edhe atij i them të jetë i qetë, sepse unë do të bëhem e fortë për të mbajtur familjen, fëmijët.”

Ardit Gjebrea: Zoti ju fal.

Irfan: Kam kaluar shumë kriza, djali u sëmur, gruaja më vdiq, të gjitha problemet i kanë rënë kësaj vajze. Dua që në emër të Zotit të bëhet më mirë dhe të rifillojë jetën të rrisë këta fëmijë, t’i gëzojë se kështu më iku jeta mua, me halle dhe probleme.

Ardit Gjebrea: Shpresojmë që nga sot e tutje të mos keni më probleme, uroj që Zoti t’ju shohë dhe të gjejë rrugën e duhur në të cilën t’ju çojë ju dhe familjen tuaj që të mos keni më halle. Ju ka vënë në një provë të vështirë, por unë besoj që të gjithë së bashku me këtë dashuri që ju keni do ta kaloni.

Çdo ditë jeta na përball me sfida të reja dhe me mësime të vlefshme sesi të dalim nga një gjendje kritike shpirtërore. Denada e kaloi një moment të tillë por fatmirësisht pati kurajo të vazhdojë përpara për hir të familjes e njerëzve më të dashur. Një shembull sesi duhet dhe nuk duhet të trajtojmë jetën tonë, e cila është dhurata më e çmuar që na është dhënë./tvklan.al/