Transmetuar më 10-03-2019, 03:36

Boksieri nga Shkodra, Nelson Hysa është arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.

Hysa u kap në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar  nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër.

Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3” dhe materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Arrestimi i Nelson Hysës u bë në vijim të operacionit “OAZ”, në funksion të procedimit penal nisur gjatë vitit 2018, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Policia tha se Hysa ishte pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër. Ndaj mëngjesin e së shtunës u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë. Kjo gjykatë kishte caktuar masën e sigurise “Arrest ne Burg” për shtetasin Nelson Hysa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Sipas vendimit, Hysa ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.

Boksierit Hysa i bënë atentat në Shkodër më 6 maj 2017

Boksieri i  Vllaznisë, Nelson Hysa, u plagos më 6 maj 2017 në një atentat në Shkodër.

Hysa sapo kishte dalë nga një berber kur u qëllua me armë zjarri disa herë nga dy persona të maskuar që udhëtonin me motor.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Për plagosjen me armë zjarri të Hysës, brenda një kohe të shkurtër policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar  të ngjarjes, ku rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”, Shkodër u tentua të vritej me armë zjarri boksieri 33 vjeçar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduriale të kryera nga Specialitët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në D.V.P.Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë Shkodër, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar Valter Ksolla, 21 vjeç, banues në Shkodër.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 mm.

Materialet i kaluan  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale  “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë,  e kryer në bashkëpunim” dhe  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”,  të parashikuara nga nenet  78,22,25 e 278 të Kodit Penal.

Arrestimi dhe i të dytit të dyshuar Policia e Shkodres njoftoi se si rezultat i punës, shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit mes Policisë së Shkodrës, Interpol Tirana dhe Autoriteteve Policore malazeze, më datë 28.06.2017, u bë arrestimi në Mal të Zi dhe më pas deportimi në Shqipëri i shtetasit shqiptar në kërkim: Kolë Progni, 25 vjeç, lindur në Salcë, Shkodër.

Ndaj këtij shtetasi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka lëshuar Urdhrin e Arrestit datë 21.06.2017.

“Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin V. K., dyshohet se janë autor të ngjarjes së ndodhur më datë 06.05.2017, ku rreth orës 14.00, në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”, në lagjen “Qemal Stafa”, Bashkia Shkodër, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri pistoletë shtetasin N.H, i cili është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën”- njofton policia.

Mbi të rendon akuza ” Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativ, e kryer në bashkëpunim.