Futet në librin Gines si personi më i vjetër në botë, nuk do ta besoni moshën
Transmetuar më 09-03-2019, 21:48

Personi më i vjetër në botë është japonezja Kane Tanaka. Besojeni ose jo, ajo është 116 vjeçe e 66 ditë.

Jetëgjatësia e saj u konfirmua gjatë një ceremonie të akordimit të rekordit Gines në shtëpinë e saj.

Një grua me origjinë japoneze është shpallur zyrtarisht personi më i vjetër në botë. 116-vjeçares, Kane Tanaka, iu akordua të shtunën rekordi Gines në një ceremoni mes familjarësh dhe zyrtarësh vendorë që u mbajt në shtëpinë e saj për të moshuar.

E lindur më 2 janar të vitit 1903, ajo është pjesëtare e një familjeje me shtatë motra dhe vëllezër të tjerë. Nga martesa me bashkëshortin në vitin 1922, Tanaka ka sjellë në jetë katër fëmijë ndërsa puna e saj kryesore në një biznes familjar ka qenë pastrimi i orizit dhe gatimi i ëmbëlsirave tradicionale.

E moshuara tha të shtunën se marrja e çmimit Gines ishtë një nga momentet më të bukura të jetesës së saj.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, gruas më të vjetër në botë iu ofrua një kuti me çokollata, të cilat ajo nisi t’i konsumojë menjëherë duke thënë me të qeshur se në këtë ditë ishte gati të hante 100 të tilla.

Sipas përfaqësuesve të organizatës së rekordeve Gines, Tanaka pëlqen që të zgjohet herët në mëngjes dhe ditën e kalon në lojëra tavoline ose duke ushtruar mendjen në matematikë.

E moshuara raportohet se gjatë jetës ka konsumuar një dietë tradicionale japoneze, e cila është e pasur me peshk, oriz, perime dhe ushqime të tjera pa yndyrë.

Kane Tanaka shpallet personi me jetëgjatësinë më të madhe në botë duke i zënë vendin bashkëpatriotes së saj 117-vjeçare që ndërroi jetë korrikun e kaluar, ndërsa rekordi historik i takon francezes Zhan Luiz Kalmo e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122-vjeçare.