Transmetuar më 09-03-2019, 13:28

Bie në pranga një tjetër person i shpallur në kërkim si pjesë e grupit kriminal "Bajri".

Sipas Policisë së Tiranës, personi në fjalë është arrestuar mëngjesin e ditës së sotme gjatë operacionit "OAZ".

Nelson Hysa 35 vjeç , lindur dhe banues në Shkodër, ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit "OAZ", si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.

Ish-boksieri i Vllaznisë së Shkodrës Nelson Hysa është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pjesë e grupit kriminal Bajri.

Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, kishte caktuar masën e sigurise “Arrest ne Burg”

Sipas njoftimit të policisë, ai u ndalua në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër.

Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”.

Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë./a.k/noa.al/