Transmetuar më 09-03-2019, 00:17

Mjeku i njohur popullor Hysri Peqani, i njohur si Burdushi ka tentuar t’i japë fund jetës para dy jave në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj.

Këtë veprim, Burdushi ka deklaruar se e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Thaçi ka thënë se Burdushi ka tentuar të bëjë vetëvrasje më 25 shkurt të këtij viti, rreth orës 05:00 të mëngjesit, por se zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë.

“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në  dhomën e tij. Mënyrën e tentim-vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën, po ashtu, e ka në dhomë.

Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende  pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Thaçi.