Transmetuar më 08-03-2019, 17:42

Nga Arlinda Çausholli

Jeta në Shqipëri nuk është e thjeshtë, jeta për një grua nuk është fare e thjeshtë. Provoni të hidhni në zona të ndryshme të Tiranës, çelësa në tokë, dhe vëzhgoni sa njerëz do t’ju ndihmojnë t’i merrni. Por, ajo çka unë nxis, është se gruaja ka një mashkull brenda vetes që quhët zë. Ky është zëri më i fuqishëm që ekziston.

Eshtë pasqyra më e kristaltë ku ne shihemi çdo ditë dhe duhet ta pastrojmë çdo ditë, është forca më e madhe që njeriu ka, sepse është zëri që kthjellohet ditë pas ditë dhe nuk shkon në simbiozë me shoqërinë, por shkon në simbiozë me cilësitë femërore, intuitën, inteligjencën, të qënit të hapur ndaj ndryshimeve, butësinë e të folurit, mënyrën e të të thënit të gjërave – qofshin këto edhe shumë serioze.

Pra shkon me arsyen që kemi lindur: që botën ta zbukurojmë. Me çdo kusht. E pavarësisht gjithçkaje. Sidomos ne që gjendemi në këtë sallë.

Ndaj unë jam për të forcuar veten, sepse shoqërinë e kemi të dobët dhe nuk është mirë të marrim stimuj të panevojshëm apo të dëmshëm prej saj, por stimujt le t’i zgjedhim vetë, sepse do të zgjedhim çfarë na pëlqen.

Çfarë pëlqejmë, është pasion. Çfarë është pasion, është forcë. Forca krijon ekuilibër. Ekuilibri i mbijeton çdo lëvizjeje të furishme.

Ndaj unë ju nxis për pak reflektim, që më pas ta kthejmë në harmoni.

 *Pjesë nga fjala e mbajtur tek "Minutat e Mia", event i organizuar nga kompania Deloitte Albania & Kosovo me rastin e 8 Marsit