Transmetuar më 08-03-2019, 12:21

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, uron gjithë vajzat dhe gratë, me rastin e 8 Marsit.

“Qoftë i dielltë si ky 8 mars çdo ditë e grave shqiptare! E nënave tona që me sakrificë sublime na kanë rritur e shkolluar në kushte tejet të vështira. E nënave dhe grave që vuajtën në ferrin komunist, që mes torturave dhe internimeve sakrifikuan për bijtë e tyre!

Qofshin të diellta të gjithë ditët e vitit për ato gra e vajza që përpiqen fort për familjet e tyre! Që çdo ditë sakrifikojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Për ato gra që shpesh harrojnë veten për familjet, që gjejnë kohën të jenë zonja të shtëpisë, nëna dhe bashkëshorte. Që janë të bukura në lodhjen e tyre dhe të shenjta në përpjekjet për të mbrojtur familjet!”, shkruan Kryemadhi.

Ajo uron lumturi për gjithë gratë e Shqipërisë kudo ku janë.

Kryemadhi uron që Zoti t’iu japë forcë e kurajo për të përballuar sfidat e vështira të jetës.

“Ju jeni burimi i jetës dhe mishërimi i paqes, ndaj meritoni të keni çdo ditë nga një urim dhe falenderim për atë që jeni!”, shkruan kryetarja e LSI.