Transmetuar më 07-03-2019, 07:31
Zamira Cavo

Sot është Festa e arsimit, Festa e shkollës, Festa e Mësuesit. Dhe si në cdo rast feste doja të uroja. U mendova gjatë.

Jo se nuk gjeja dot fjalët për të uruar në një ditë si “ 7 Marsj”. Përkundrazi fjalët në një rast të tillë, për një njeri si mua që arsimin e kam të parën fjalë, burojnë si lumë.

Por ngurroja të përcaktoja se kujt më duhej t’ja drejtoj urimin. Më kanë mbetur shumë pak miq, kolegë, mësues e dashamirës të arsimit. Të tjerët bëjnë sikur.

Bëjnë “sikur” janë pedagogë pasi parësore kanë paranë dhe jo studentin. Bëjnë “sikur” janë mësues, por duan atë rehatinë që sjell një pagë e qëndrueshme dhe as që ua ndjen për nxënësin dhe përgatitjen e tij.

Bëjnë “sikur” janë drejtues të arsimit dhe mëndjen e kanë si ti kënaqin sa më shumë eprorët e tyre duke mos e vrarë fare mëndjen fare për shkollën dhe edukimin.

Bëjnë “sikur” janë edukatorë dhe me fjalorin e tyre, arrogancën dhe jo rrallë herë dhunën verbale e fizike dëshmojnë modelin më të keq të edukatorit.

Bëjnë “sikur” janë prindër të përkushtuar për edukimin e fëmijëve të tyre dhe u kërkojnë mësuesve vetëm notën që fëmijët e tyre të shkojnë në universitet packa se nuk dinë asgjë.

Bëjnë “sikur” drejtojnë arsimin në qeveri por kujdesen vetëm për kryetarin e saj dhe jo arsimin tonë!

Ndaj e pata të vështirë, por gjithsesi uroj sot: Paçi jetën e gjatë ju miq që e doni vërtetë arsimin dhe luftoni për të sepse jeni ju ata që vërtetë po e mbani në kmbë me shumë vështirësi dhe vujatje edukimin dhe arsimimin e brezave!

E ardhmja, sa kohë që ju ka ju, nuk do të jetë aq e zymtë sa e mendojmë. Ndaj kurrë mos reshtni së edukuari me qytetarinë dhe të mësuarit me dijen brezat! Dhe kurrë mos shterofshin mimozat për ju!