Transmetuar më 05-03-2019, 15:12

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka e ka cilësuar të shëmuar atë që ndodhi në Kamëz, ku u dhunua arbitri pasi akordoi një penallti pro Laçit në fund të kohës shtesë. Ai i kërkoi policisë së shtetit që të ndërhyjë për të siguruar rendin në stadiume.

"Policia duhet të ndërhyjë në stadiume. Nuk jemi Anglia, apo Norvegjia që të kemi nivel të lartë. Duhet të jemi realistë për nivelin e shoqërisë shqiptare. Ai që është agresori dhe ai që bën dhunën patjetër që ka peshën kryesore të fajit dhe duhet të marrë dënimin e duhur por të gjitha këto dhe të tjerët duhet të analizojnë dhe të shohin se çfarë faji kanë.

Federata e Futbollit, organizatorët e Klubit dhe gjithashtu edhe forcat e rendit të cilat duhet të ruajnë rendin në Shqipëri. Në fillim të këtij kampionati çuditërisht u mor një vendim që policia nuk duhet të jetë prezent në stadiume. Po të jesh në zyrë dhe në letër është një vendim OK që kopjon disa vende. Thonë kështu e ka Anglia e kështu e ka Norvegjia.

Unë nuk besoj që Anglia dhe Norvegjia kanë nevojë për aq shumë policë sa ishin sot në mëngjes në parlamentin shqiptar sepse parlamentarët nuk flasin dot me njeri-tjetrin. Kanë një polici jashtë dhe një gardë brenda dhe niveli i futbollit që është akoma edhe më i gjerë dhe presupozohet se niveli intelektual duhet të jetë pak më pak se i parlamentit duhet të luajë dhe të ruajë vendin vetë pa policinë. Ajo që ndodhi në Kamëz ishte e shëmtuar" tha Duka.