Transmetuar më 05-03-2019, 06:28

Federata Shqiptare e Futobllit (FSHF) kërkoi nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, rikthimin e policisë në stadiume për mbarëvajtjen e ndeshjeve, në të kundërt paralajmërojnë se do të shihet në mënyrë serioze vazhdimi ose jo i kampionatit.

Në një konferencë shtypi dje, zyrtarët e saj po ashtu dënuan dhunën ndaj gjyqtarit në ndeshjen e së dielës në takimin Kamza-Laçi.

“Kërkojmë që situata në stadiume të mos rëndohet”, – tha Sekretari i FSHF, Ilir Shulku. Ai kërkoi që klubet të ndërmarrin masat e duhura organizative për mbarëvajtjen e ndeshjeve .

Edhe kreu i shoqatës së gjyqtarëve Tahir Kastrati kërkoi bashkëpunim për të parandaluar ngjarjet në stadiume.

“Të rikthehet Policia në stadiume për mbarëvajtjen e ndeshjeve” tha Kastrati.

Ndërsa Sekretari i FSHF, Ilir Shulku ishte i qartë kur tha se “pa praninë e Policisë, do të shihet në mënyrë serioze vazhdimi ose jo i kampionatit të futbollit” .

FSHF ka shumë kritika për mënyrën si po funksionon Policia e Shtetit e cila sipas FSHF, nuk jep asnjë përgjigje për shqetësimet e ngritura nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Policia e Shtetit, që sipas ligjit ka për detyrë institucionalisht të ruajë rendin dhe sigurinë publike në mjediset sportive, ende nuk ka dhënë një përgjigje për selektivitetin e ndërhyrjes në stadiumet shqiptare por vazhdon të fshihet pas korrespondencave dhe shkresave. Policia e Shtetit kërkon që në çdo stadium të Shqipërisë të ketë kamera sigurie, sikur të mos mjaftonin pamjet ku agresorët janë filmuar në çdo ndeshje nga kamerat e transmetuesve zyrtar të ndeshjeve dhe reagimi ka qenë zero”, – thotë FSHF.

Kurse paralajmëron: “Nëse kjo është një betejë juridike jemi gati ta sfidojmë. Nëse është një betejë burokratike jemi gati ta injorojmë. Nëse është një betejë për të ndihmuar futbollin jemi gati të bashkëpunojmë siç kemi kërkuar gjithmonë, në mënyrë që loja më e dashur e sportdashësve shqiptar të mbetet më e mira”.

Për FSHF, Policia e Shtetit jeton në një planet tjetër kur deklaron se futboll në Shqipëri duhet të lejohet të luhet vetëm në dy stadiume, në Shkodër dhe Elbasan, pikërisht në ato stadiume që menaxhon FSHF.

“Për fat të keq ky është realiteti shqiptar, ku organi që ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë publike na mëson se si mund ta bllokojmë lojën më të bukur në botë. Është e trishtueshme të vëresh që organi shtetëror që duhet të kryejë detyrën dhe të na ndihmojë, bën thjesht karshillëk me realitetin shqiptar të futbollit”, – thotë FSHF duke vijuar më tej:

“Gati qesharake, që për t’u fshehur pas të vërtetës, na kërcënojnë se do të denoncojnë FSHF-n si organizatore të aktivitetit. Ne duhet ta mirëkuptojmë Policinë e Shtetit, që duhet të ruajë godinën e Parlamentit dhe ligjvënësit, që nuk mund të komunikojnë me popullin pa pjesëmarrjen e policisë në Parlament. Ndërsa ata, nuk na mirëkuptojnë ne për një dëshirë të thjeshtë, që ka nisur në vitin 1900 në këtë vend: Të luajmë futboll, të kënaqim popullin dhe ta bëjmë krenar atë!”, – përfundon deklarata e FSHF. /noa.al/