Transmetuar më 04-03-2019, 11:30
Ilir Shulku

Federata Shqiptare e Futbollit del me deklaratë lidhur me rastin e dhunës gjatë ditës së djeshme, ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti, teksa luhej ndeshja Kamza-Laçi.

Sekretari i përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku deklaroi se federata kërkon rikthimin e policisë, teksa komentoi edhe episodet e fundit të dhunës në stadiume.

Ai tha se policia nuk ka reaguar në lidhje me incidentet në stadiumet shqiptare, edhe pas reagimeve të FSHF.

“Kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë pas ndeshjes së parë, ku luhej Skënderbeu dhe Partizani. Diçka e tillë ndodhi edhe javën e kaluar edhe ku u godit fotografi i Flamurtarit, nga tifozët e Partizanit. Edhe media e ka kërkuar diçka të tillë, por asnjë reagim nga shteti. Kush do i mbrojë lekët e këtyre presidentëve? Nuk është marrë asnjë masë nga organet shtetërore”, u shpreh Shulku.

Ai shtoi se në këto kushte është e vështirë që të vazhdohet duke paralajmëruar, “Nëse situata do të vazhdojë, do të shikojmë seriozisht ndërprerjen e kampionatit. Shpresojmë që situata të mos agravohet por është e pamundur”.

Nga ana e tij Tahir Kastrati, përfaqësues i Shoqatës së Bashkimit të Albitrave të Futbollit tha se jeta e gjyqtarëve është në rrezik.

Ai kërkoi që të bëhet e pamundura për të ndalur dhunën e ushtruar ndaj arbitrave. /a.y/noa.al

Dhunë në ndeshjen Kamza-Laçi, tifozët gjakosin gjyqtarin