Transmetuar më 01-03-2019, 08:40
Foto ilustruese

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të autoriteteve britanike, është vënë në prangat e policisë.

Drejtoria e Policisë Durrës në bashkëpunim me Interpol Tirana kanë arrestuar pasditen e kësaj të enjte, një person i cili kërkohej nga autoritetet britanike që prej vitit 2018.

Në sajë të hetimeve intensive u bë kurorëzimi i operacionit të koduar “Eagle” (Shqiponja), duke bërë lokalizimin dhe arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi i E. S., 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Xhafzotaj, Shijak.

Autoritetet gjyqësore britanike kanë përcjellë kërkesën për lokalizimin dhe arrestimin e 23-vjeçarit në bazë të urdhër arrestit të datës 5 janar 2018 të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster/Mbretëri e Bashkuar.

Kjo gjykatë ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”.

Aktualisht Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë po kryejnë të gjitha procedurat për ekstradimin e 23-vjeçarit drejt Mbretërisë së Bashkuar. /a.y/noa.al