Transmetuar më 27-02-2019, 23:20

Barcelona ka arritur të turpërojë këtë mbrëmje Real Madridin duke e eliminuar nga Kupa e Mbretit.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e zhvilluar në “Camp Nou” 3 javë më herët, mbrëmjen e sotme Barcelona fitoi me rezultatin e thellë 0-3, falë dopietës së Luis Suarez dhe autogolit të mbrojtësit francez Raphael Varane duke u kualifikuar për në finale.

Pjesa e parë ishte me ritëm mjaft të lartë dhe ishte pikërisht Reali i Madridit, që kishte iniciativën, duke kërcënuar disa herë kuadratin e Ter Stegen, veçanërisht me talentin brazilian Vinicius.

Në të njëjtën mënyrë startoi edhe pjesa e dytë, por këtë herë katalanët u treguan mjaftueshëm cinikë, për të shfrytëzuar në perfeksion thuajse çdo dalje në kundërsulm dhe arritën të dërgojnë 3 herë topin në rrjetën e portës madrilene.

Të shtunën në orën 20:45, dy skuadrat do të përballen sërish me njëra-tjetrën dhe sërish në “Santiago Bernabeu”, por këtë herë në sfidën e vlefshme për kampionatin spanjoll.

Barcelona aktualisht është kryesuese e "La Liga-s" dhe shihet si pretendentja kryesore për fitimin e trofeut./a.k/noa.al/