Transmetuar më 19-02-2019, 23:03

Akademiku i njohur Artan Fuga i ftuar në "Tempora" nga Sonila Meço në Ora News, tha kriza politike mund të përkeqësohet pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve, pasi faktori ndërkombëtar mund të mos angazhohet për zgjidhjen e saj.

"Ne gjithmonë shpresojmë që janë ndërkombëtar që na zgjidhin krizat tona, por këtu duhet patur kujdes. Jo gjithmonë ajo që ka ndodhur do të duhet të ndodhi dhe do të vijë një moment kur ndërkombëtarët. Në një moment të caktuar mund të jenë në unison, në një moment të caktuar mund të jenë të zënë në kriza të tjera dhe nuk mund të jenë të gatshëm për të zgjidhur krizën tonë dhe kriza mund të jetë shumë e madhe.

Duhet bërë kujdes! Flitet për një krizë të mundshme gjeopolitike në Ballkan. Ne nuk mund të prodhojmë kriza në mënyrë fëminore, duke thënë se presim të huajt që mund të na i zgjidhin. Gjuha e opozitës, është gjuha e atij që nuk i dëgjohet fjala dhe më pas kalohet tek gjuha e trupit.", shprehet Fuga.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

"Mund të hyjmë në një fazë ku nuk dihet çfarë do të ndodhë. Unë do ta quaja dështim total të klasës politike me përgjegjësinë kryesore të mazhorancës. Unë mendoj që ka ardhur koha që edhe mazhoranca edhe opozita të ulen duke lënë mënjanë fjalët e hidhura, të ulen dhe detyra e tyre është që t’u japin mundësi shqiptarëve të votojnë qetë dhe partive në kushte të barabarta dhe me një liberalizim të kodit elektoral. Në Kushtetutë kemi vendimin e drejtpërdrejt dhe asnjëri nuk voton në mënyrë të drejtpërdrejt sepse askush nuk e di se ku i shkon vota".