Transmetuar më 19-02-2019, 13:06
Jorida Tabaku, Elisa Spiropali

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, denoncoi sot atë që e quajti aferë korruptive, ku bashkëshorti i ministres së Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka dhënë një tender prej 550 milionë lekësh kunatit të tij.

Në një dalje nga selia blu, ajo denoncoi se bashkëshorti i Spiropalit, Salarjon Totaj i ka dhënë një tender prej 550 milionë lekë Enkli Spiropalit.

Ajo detajoi skemën se si u pasurua Elisa Spiropali, duke bërë edhe akuza të forta.

Sipas saj, historia e kompanisë ‘Solomon’ që i përket familjes Spiropali është simbol sesi qeveria vjedh paranë publike dhe taksat e shqiptarëve.

“Kjo kompani është krijuar në 9 shtator në të njëjtën ditë që u krijua qeveria Rama. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se Enkli Spiropali vëllai i zëdhënëses së qeverisë që në atë kohë po merrte emërimin si drejtoreshë e doganave krijoi një kompani që e quajti SLM me qendër në Fier dhe me kapital 1 milionë lekë të vjetra. Brenda pak muajve kompania e sapokrijuar fitoi tenderin e parë në 27 mars 2014. Bamirësi ishte kunati i tij, bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Për të fshehur gjurmët e konfliktit të interesit dhe të ndonjë vepre tjetër penale vëllai i saj e shiti kompaninë me letra në 8 prill 2014”, deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se kompania u shit brenda familjes, tek kushëriri i bashkëshortit dhe se vlera e shitjes ishte 1 milionë lekë, megjithëse kompania fitoi një tender prej 6 milionë lekësh.

“Me këtë skemë duke u fshehur pas kushëririt të familjes, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë familjes së tij 550 milionë lekë. Këto janë afera penale që kërkojnë ndjekje penale dhe përballje me drejtësinë. Më e pakta që duhet të ndodhë sot është angazhimi i Inspektoriatit të Pasurisë për të hapur një hetim pasuror”, deklaroi deputetja demokrate.

Lidhur me këto akuza ka ardhur edhe reagimi i vetë Spiropalit, e cila e cilëson Tabakun si recituese.

“E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me bojë. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta”, deklaron Tabaku.

Ajo thotë se padia është e vetmja rrugë “me këta bartës e përçues të horrllëkut politik”.

Spiropali e mbyll qëndrimin e saj duke thënë se në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës. /a.y/noa.al