Transmetuar më 16-02-2019, 14:00

Lëvizja Socialiste për Integrim, del me deklaratë lidhur me protestën e sotme të opozitës.

“Me shqetësim të madh ndajmë me ju sjelljen e patolerueshme dhe antidemokratike të qeverisë shqiptare gjatë protestës së sotme të qytetarëve. Opozita ka komunikuar zyrtarisht me Ministrinë e Brendshme për të gjitha elementet e organizimit të protestës. Megjithatë, qeveria provokoi qytetaret në protestë duke larguar kordonin e Policisë që ndante Kryeministrinë me protestuesit”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet se Policia e Shtetit nuk ka komunikuar në asnjë moment apo për asnjë çështje me organizatoret e protestës, duke vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin.

Gjithashtu thuhet se, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë përdorur lëndë helmuese luftarake dhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, duke shkaktuar dëme shumë të rënda në rrugët e frymëmarrjes të qytetarëve dhe ka përkeqësuar shëndetin e qytetarëve me probleme kardiake.

Deklarohet se kjo sjellje provokative e Policisë se Shtetit dhe e Gardës së Republikës ka qenë në kundërshtim me dëshirën e opozitës për një protestë paqësore dhe theksohet se kjo protestë ka nisur paqësore dhe vazhdon të jetë e tillë në sytë e qytetarëve.

“Veprimet e qeverise provuan edhe një herë rrugën anti demokratike të qeverisë dhe te Kryeministrit Edi Rama. Ju sigurojmë se LSI dhe opozita po përpiqet të bëjë të pamundurën për ti mbajtur protestuesit të qetë dhe nën kontroll, pavarësisht se provokimet e strukturave qeveritare të nisura prej disa ditësh tashme, vazhdojnë ende të cenojnë të drejtën e qytetareve për të protestuar për një ndryshim pozitiv”, thuhet në mbyllje të deklaratës. /a.y/noa.al

Protesta, SHBA- BE: Të shmanget dhuna

Gaz lotsjellës dhe plumba gome, tym e flakë te Kryeministria

Tensioni gjatë protestës, Meta: Vetëpërmbajtje! Të shmanget dhuna

Tensioni te Kryeministria, Basha: Skenar për dhunë! Kryemadhi: Rama këto lotë nënash, ka për ti gabuar

Protestuesit mësyjnë në Kryeministri, ngrenë flamurin e PD. Ka të lënduar