Transmetuar më 15-02-2019, 18:09

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, komentoi edhe gjestin e nënkryetarit të Kuvendit, Edi Paloka, i cili një ditë më parë hodhi bojë me shiringë në drejtim të kryeministrit Rama.

Sipas tij, përmes hedhjes së bojës demokratët kanë lëshuar edhe një mesazh të koduar, që ashtu siç u qëllua kryeministri, të goditet kryeministria nesër.

“Po shkoj tek akti i djeshëm i turpshëm i Edi Palokës…i cili nuk meriton më të jetë nënkryetari i Kuvendit. Kryeministri ka reaguar në mënyrën më minimale të mundshme, pasi ka qenë i provokuar maksimalisht. Banalitetin e tij ai njeri e shfaq në çdo seancë.

Shqiptarët e kanë kuptuar se ishte mesazh i koduar për të goditur kryeministrinë nesër. Si mund të ishte reagim spontan kur shkon me shiringë në xhep? Edhe disa të tjerë kishin shiringa. Deputetet kishin vezë, kishin flakadanë nëpër çanta”,- tha Balla ndër të tjera.

Mw tej Balla ka thënë se streha me drita te kryeministria, është hequr për të shmangur një shkatërrim të qëllimshëm të manifestuesve.

“Është marrë kjo masë paraprake që të mos gjuajë Edi Paloka dhe ta bëjë me bojë, sepse dëmton një objekt arti dhe që ka një vlerë të caktuar, kështu që për t’i kursyer taksapaguesit shqiptarë, është marrë kjo masë paraprake”, tha deputeti socialist.

Balla theksoi se opozita nuk ka të drejtë morale të dalë e të flasë në emër të shumicës, sepse populli nuk e ka votuar dy vjet më parë.

“Një parti që në 4 muaj, ska bërë asnjë organizim për të organizuar strukturat. Sa kohë që pd, është zhytur prej kohësh në një vorbull, demokratët e thjeshtë nuk mendojnë që lidershipi i bashës smund ti kthejë ata në pushtet. Kjo është protesta e Monikës dhe Lulit”.

Pyetjes nëse tensionohet situata në protestë, Balla iu përgjigj me një paralajmërim: “Nëse tentohet të hyhet në kryeministri, çfarë ndodh? I bëj thirrje çdo qytetari që të mos bjerë pre e urdhrave të liderëve të skaduar të PD-LSI e të bëhet një robot në urdhrat e tyre për të dëmtuar një xham, derë, pllakë të pronës sonë të përbashkët. Të protestosh është e njohur me Kushtetutë, por të dëmtosh, dënohesh sipas kodit penal të Republikës së Shqipërisë. Ne besojmë se lidershshipi i ngrehur i PD, të distancohet nga këto thirrje se nuk i bëjnë mirë as PD, e as LSI-së”.