Transmetuar më 15-02-2019, 17:05

Kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë një takimi që pati sot me disa qytetarë të Tiranës, ka bërë thirrje edhe një herë që të bashkohen në protestën e ditës së nesërme.

Gjatë fjalës së tij para qytetarëve ai tha se Rama sot si dhe datën e protestës, zgjodhi që të largohet për në Vlorë, por asgjë nuk e shpëton, pasi sipas tij ai duhet të dalë para drejtësisë, ose të shkojë të kërkojë azil politik dhe t’i bashkohet Nikola Gruevskit.

“Dita e nesërme është dita e rinisë shqiptare sepse kur themi se shqiptarët e bashkuar si asnjëherë në këto 30 vite, në protestën më të madhe të tre dekadave, do të marrin fatin e tyre në dorë, ajo që unë kam parasysh është se fatin e Shqipërisë europiane do ta marrë në dorë rinia europiane.

Para një viti nisi një rezistencë kundër prishjes së Teatrit, një afere prej 200 milionë eurosh, para 3 muaj e gjysëm, nisi qëndresa e banorëve të Unazës së Re, kundër prishjes së shtëpive të tyre, ku Edi Rama do i jepte një kompanie fantazëm 18 milionë euro. Të gjitha këto nisën si kauza të njerëzve të dëshpëruar. Kështu nis edhe përpjekja studentore.

Qytetarët nuk duhet të fshihen, Edi Rama duhet të fshihet. Ia ka mbathur për në Vlorë por edhe Vlora do ta përzë. Nesër shqiptarët do ta vendosin përpara dy alternativave, përpara drejtësisë ose në azil politik t’i bashkohet Gruevskit”, u shpreh Basha.