Transmetuar më 15-02-2019, 14:18
Gjyqtari Skender Damini dhe parate e gjetura ne banese

Është lënë i lirë pas shoqërimit në policinë e Tiranës, gjyqtari i Apelit Vlorë, Skënder Damini. Ai ka qëndruar në ambientet e policisë për disa orë, ku më tej ka dalë nën shoqërinë e avokatit pa bërë asnjë deklaratë, për shkak se ndaj tij nuk kishte asnjë urdhër ndalimi.

Shoqërimi i gjyqtarit u bë pasi në banesën e tij, në sirtarin ku mbaheshin të brendshmet u gjet një shumë e konsiderueshme parash, rreth 17 mijë euro, shumë e cila rezulton e pajustifikuar prej Daminit.

Po ashtu në banesën e tij në kryeqytet janë gjetur edhe disa municione. Mësohet se ndaj gjyqtarit ka nisur procedimi penal për korrupsion.

Krahas banesës së Daminit, kontrolle nga policia u ushtruan mëngjesin e sotëm edhe në shtëpitë e dy gjyqtarëve të tjerë të cilët me vendimin e tyre shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij vendimi u votua kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009. /a.y/noa.al

Kontrolli në shtëpitë e gjyqtarëve të Dajtit, Policia del me deklaratë: Gjetëm para dhe municione

Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi përjetshëm, kontroll blitz në banesat e gjyqtarëve

Kontrolli në shtëpinë e gjyqtarëve të Dajtit, Rama: Koha e të paprekshmëve po mbaron