Transmetuar më 15-02-2019, 13:48

Kryeministri Edi Rama përshëndet aksionin e sotëm të policisë në banesat e tre gjyqtarëve që ulën dënimin për Dritan Dajtin, duke e shpëtuar nga burgimi përjetë në 25 vite burg.

Ai flet për një fazë të re të shtetit dhe deklaron se koha e të paprekshmëve po mbaron.

“Faleminderit me një përulje të thellë shërbëtorëve të shtetit që thyen mitin 30 vjeçar të paprekshmërisë absolute të kriminelëve me toga të zeza. Duke u treguar vrasësve të drejtësisë për katër policët e vrarë se koha e të paprekshmëve po mbaron, shteti sot ka hyrë në një fazë të re”, shkruan Rama.

Më herët Policia e Shtetit konfirmoi aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit.

Bëhet me dije se operacioni policor vazhdon, por konfirmohet se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese.

Në përfundim të operacionit, Policia e Shtetit ka lajmëruar se do të ketë një komunikim të veçantë me median dhe publikun.

Gjyqtari Skender Damini, gjate kontrollit nga policia

Gjyqtari Skender Damini dhe pamje gjate kontrollit nga policia

Në vijim të kontrolleve u bë shoqërimi i gjyqtarit të Apelit Vlorë, Skënder Damini, gjatë kontrollit të beftë në banesë mëngjesin e sotëm, i janë gjetur afro 20 mijë euro të pajustifikuara si dhe armë pa leje.

Gjatë kontrollit në banesë ka qenë vetë gjyqtari dhe familjarët e tij. Aktualisht gjyqtari Damini është shoqëruar në polici i shoqëruar me avokatin.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij vendimi u votua kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009. /a.y/noa.al

Kontrolli në shtëpitë e gjyqtarëve të Dajtit, Policia del me deklaratë: Gjetëm para dhe municione

Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi përjetshëm, kontroll blitz në banesat e gjyqtarëve