Transmetuar më 13-02-2019, 16:42

Nëse mendoni se pikat e basteve dhe lotarive sportive apo të tjera lojëra fati janë mbyllur të gjitha, harrojeni.

Ato vazhdojnë të funksionojnë në një pjesë të mirë të tyre, por si në kohën e Enver Hoxhës, paska si në ilegalitet.

Ndërsa qeveria vendosi t’i mbyllë të gjitha pikat e aseteve dhe lojërave të fatit, duke lënë ende për sa kohë kjo s’dihet, vetëm Telebingo dhe Lotaria Kombëtare, të tjera pika lojërash fati po vazhdojnë ilegalisht punën.

Kështu në Tiranë, Durrës e qytete të tjera, disa bare e kafene, punojnë me bastet në rrogoz, duke u ruajtur mos pikasen nga policia.

Këtë fakt e pohon dhe kjo e fundit, e cila pohon se po përballet me zbulim të aktiviteteve të tilla, në mënyrë të vazhdueshme.

Gjatë ditës së sotme, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, një sasi çipash dhe një valixhe pokeri.

Policia e Durrësit që kreu sekuestron, tha se po procedohet penalisht pronari i një subjekti, shtetasi R.L., banues në Durrës, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara "dhe "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".

Ndërsa po vazhdojnë çdo ditë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit, Policia e Shtetit fton cilindo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit "Komisariati Dixhital", çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm. /noa.al/