Transmetuar më 13-02-2019, 15:51

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi në një dalje për media është shprehur se kryeministri Edi Rama me bllokimin e autostradës Tiranë Durrës dhe Tiranë –Kamëz nuk do bllokojë protestën e 16 shkurtit.

“Edi Rama kryeministri më i vetmuar në Europë po bën çdo përpjekje për të ndalur protestën e 16 shkurtit. Edi Rama mendon se duke bllokuar rrugën Tiranë- Durrës dhe Tiranë-Kamëz mund të ndalojë gjysmën e qytetarëve për të protestuar kundër tij.

Qytetarët duhet të ishin njoftuar disa ditë më parë si raste të tjera. Po paralajmërojmë që tani çdo makineri ndërtimi të mos bëjë asnjë veprim për të penguar lëvizjen. Edi Rama do jetë i vetmi që do mbajë përgjegjësi. Makinacionet qesharake dhe mjerane nuk do ndalin dot këtë sistem të mallkuar nga krimi dhe korrupsioni”, u shpreh ai.

Ndërsa Luan Rama u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestën e 16 shkurtit. Ai tha se do jetë dita e fitores së qytetarëve mbi të keqen.

"Protesta e 16 shkurtit nuk është një konfrontim mes qytetarëve dhe instituticioneve të shtetit por është fillimi i luftës së qytetarëve kundër të keqes. Është demostrimi i forcës qytetare përballë papërgjegjshmërisë së qeverisë, është manifestimi solidaritetit dhe angazhimit qytetar përballë krimit, korrupsionit, trafiqeve së qeverisë që është bërë pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit.

Prandaj edhe njëherë duke i ftuar të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës në këtë protestë dëshiroj të garantoj se ajo do të jetë një protestë force e qytetarie, revolte e shpirtit qytetar përballë arrogancës, dhunës së qeverisë por nga ana tjetër sipas modelit të më të mirë që demostruan studentët shqiptarë me protestën e tyre edhe protesta e 16 shkurtit do të jetë demostrim force por edhe manifestim qytetarie”, tha Luan Rama./b.l/noa.al/