Transmetuar më 13-02-2019, 15:06

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar me anë të një posti në “Tëitter” për raportin e publikuar sot me temë “Një Shqipëri pa kanabis”. Sipas tij,  pas 25 vitesh Shqipëria nuk rezulton të jetë më si vend origjine i prodhimit dhe i trafikimit të kanabisit.

“Një Shqipëri pa kanabis! Prezantimi sot publikisht(më mirë vonë se kurrë!) i rezultateve antikanabis ’18, konfirmimi më i mirë i realitetit historik:Pas 25 vitesh, s’jemi më vend origjine i prodhimit e trafikimit të kanabisit!Krenar për çfarë bëmë,ndër të tjera, në këto vite!

Me të njëjtët policë, buxhet, mjete, asistencë, në të njëjtin territor ndryshuam një realitet e krijuam model të krahasueshëm me Evropën!Fuqia e vlera qëndron te njerëzit, reformat e mëdha që PS ideoi e udhëheq për të ndërtuar shtet e drejtësi në vend!

Krenar për rezultatet e antitrafikimit në 2018. 80% ulje e trafikut me vendin fqinj krahasuar me 2017.Luftë pa kompromis e rezultate të shkëlqyera ndaj gr. kriminale.Shifrat, kokëforta, flasin vet! Fjalët sado të bukura i merr era.Forca e Ligjit në veprim e mbi të gjithë!Respekt dhe mirënjohje pafund bashkëpunëtorëve të mi, sakrificës së policëve të thjeshtë në territor dhe veçanërisht ekipit drejtues të Policisë së Shtetit! Njerëz që e duan vendin e tyre, të ardhmen e tij!

TURP i madh për ata që për vite të tëra i dhanë vendit një imazh negativ, rinisë modelin e keq e krimit të organizuar pushtet e fuqi financiare!Nëse s’kërkojnë dot falje të paktën të heshtin! Përçmim për të gjithë ata që kanë hedhur baltë mbi përpjekjet tona në këtë betejë!

Sot Policia e Shtetit e besueshme dhe bashkëpunuese për partneret ndërkombëtar. Ndërsa dje, kur shefi i opozitës së sotme ishte drejtuesi politik i kësaj organizate, këta partner “përshëndeteshin” me plumba që zbrazeshin nga bastioni i hashashit politik të kësaj opozite”, thuhet në postimin e Xhafaj.