Transmetuar më 12-02-2019, 18:16

Shumëkujt i ka ngjallur habi sot një foto që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shfaqej deputeti demokrat Ervin Salianji dhe ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj. Çudi për faktin se Salianji ka qenë një deputet shumë aktiv duke sulmuar gjithmonë maxhorancën, ndërkohë që në kafe biseda mes tyre duket shumë normale.

Pikërisht këtë takim e ka sqaruar ish-ministri Ahmetaj në studion e News24. Ahmetaj tha me shaka fillimisht se donte ta helmonte Salianjin por se nuk e zuri helmi. Ndërsa më pas tha se takimi ishte një rastësi.

“Nuk do pyes se çfarë dyshimesh ngjall? Po bënim komplot kundër PD apo… E kisha ftuar zotin Salianjin për kafe që ta helmoja, i kam hedhur edhe helm në kafe por më rezulton që nuk e ka kapur helmi.

Përshtypje nuk duhet t’i bëjë kujt sepse këtu ulet kryeministri me kryetarin e opozitës edhe duhet.

Nuk e kam mik, ështe një 3 minutësh i rastësishëm. Ështe një gazetar, miku im. Më ka dhënë leje që t’ia përdor emrin, është Ed Manushi.

Dhe Ed manushi me çfarë kuptoj është mik me Salianjin. Unë rastisa në një drekë miqsh me punonjës të Kryeministrisë edhe me një botuese dhe në një moment rastësisht u përqasëm, pasi unë u ula me Edin, zoti Salianji erdhi dhe mirë bëri që erdhi.

As ai, as unë nuk jemi vulgarë.  Është një rastësi, që as s’duhet trajtuar si çudi por të thashë doja ta helmoja dhe nuk e kapi helmi”, tha Ahmetaj.