Transmetuar më 11-02-2019, 21:28

Në prag të zgjedhjeve lokale, partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike synon që të dalë me kandidatë të përbashkët me aleatët për kryetarë bashkish.

Kjo gjë u është komunikuar edhe kryetarëve të partive aleate në opozitë përmes një draft-marrëveshjeje.

Qëllimi është që kjo marrëveshja të materializohet përpara protestës së 16 shkurtit.

“Deklarojmë se kemi vendosur daljen në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend.

Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit; si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje", thuhet në draft.

Diskutimet për atë që e quan platformë bashkëpunimi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur t’i bëjë kokë më kokë, ndërsa paraditen e së hënës në zyrë ka pritur kreun e Republikanëve, Fatmir Mediun. /k.k/noa.al/