Transmetuar më 10-02-2019, 11:56
Juliana Hoxha

Ka dalë sot para gjykatës së Tiranës, ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, për vlerësimin e masës së sigurisë, pas hetimeve dhe arrestimeve për abuzim me tenderat.

“Arrest shtëpie” vendosi gjykata ndaj saj, e cila nuk do të dalë nga banesa në vijim të hetimeve.

Sakaq gjatë së premtes, gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, për ish-drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse Aurel Lamçe dhe ish-specialistin e IT-së në Arlind Alikaj.

Ata u arrestuan këtë të mërkurë bashkë me ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë Juliana Hoxha dhe ish-specialistin tjetër të IT-së Lysien Ali.

Lidhur me këto hetime tre ish-ministra të Drejtësisë, dy të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëri i Partisë Demokratike, do të thirren në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar.

Gjatë javës që vjen do të dëshmojnë ish-ministrat Petrit Vasili, Ylli Manjani dhe Gazment Bardhi. Tre ish-ministrat po verifikohen lidhur me procedurat abuzive të konstatuara me tenderat e kryera nga ministria e Drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

-Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

-Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale

-Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

-Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

-Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit

Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.

Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale.

Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave. /a.y/noa.al