Transmetuar më 09-02-2019, 19:25

12 përqind e deputetëve shqiptarë i votojnë ligjet pa i kuptuar ato.

Ka qenë ky një ndër përfundimet që ka arritur Instituti i Studimeve Politike përmes një ankete që ka zhvilluar me deputetët.

"Ne kemi parë se rreth 12% e deputetëve deklarojnë në mënyrë publike që kanë votuar ligje pa i kuptuar ato, do të thotë që nuk kanë informacion për ligjet. Të votosh ligje pa i kuptuar, imagjino pasojën e madhe që ne kemi në shoqëri. Ky është tregues i asaj kategorie deputetësh që kanë hyrë rastësisht në politikë", shprehet Afrim Krasniqi.

Ndër të tjera, gjetjet e kësaj ankete vënë në pah problematikat që hasin deputetët në këndvështrimin e tyre. Një pjesë e mirë e tyre kanë deklaruar se janë të gatshëm të trajnohen, teksa deklarojnë se nuk e njohin rregulloren, detyrimet dhe përfitimet që ka një deputet.

Pjesa më e madhe deputetëve jetojnë në Tiranë, ndërkohë që janë të pakënaqur me pagesat e tyre, të cilat gjithsesi janë më të larta se paga mesatare e qytetarëve që përfaqësojnë.

Krasniqi vijon më tej:

"Ne na duket se në Shqipëri deputetët fitojnë shumë, për shkak se ne e dimë çfarë ata bëjnë jashtë funksionit parlamentar. Por nëse ata do ushtrojnë vetëm funksionin parlamentar, pagesa e tyre është shumë më e ulët se e gjithë deputetëve të rajonit. Numri më i madh i deputetëve jetojnë në Tiranë, do të thotë që ne nuk kemi parlament të Shqipërisë, por parlament të Tiranës".