Transmetuar më 09-02-2019, 10:53

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen nga Rrësheni për gjithë shqiptarët të bëhen bashkë më 16 shkurt, në Tiranë, për t’i dhënë mesazhin e duhur qeverisë dhe kryeministrit.

Basha bëri thirrje banorëve për të rrëzuar qeverinë, e cila sipas tij është marrë peng nga kriminelët. Janë kriminelët tha ai që kanë marrë në dorë fatin e shqiptarëve, prandaj të gjtihë bashkë të bashkuar, ata duhet t’i japin fund “grushtit të shtetit” siç tha ai.

“Zgjedhjet janë asgjësuar, një gjë nuk e ka kuptuar Edi Rama. Kujtojani në 16 shkurt se zot i vendit, pronar i institucioneve nuk mund të jetë kurrë një njeri. Sovrani i institucioneve është populli, janë qytetarët. Ndaj ju ftoj qytetarë dhe qytetare, të gjithë së bashku më 16 shkurt t’i japim fund këtij grushti shteti nga kriminelët që e kanë marrë shtetin dhe institucionet peng”,- tha Basha.

Më tej ai shtoi se “Në duam të kemi një qeveri që u shtrin dorën dhe u ndihmon, një bashki që nuk ju braktis dhe për këto ka dy mënyra, zgjedhje të lira e sistemin e drejtësisë. Zëri i Amerikës ka publikuar fakte tronditëse që tregojnë se në krye të vendit është një kryeministër dhe bandë e përcaktuar nga paratë e drogës dhe krimit. Kush e lidh fatin me kriminelët i vjedh qytetarët, i mashtron, i gënjen, i braktis. Mos e pranoni as një minutë poshtërimin”.

Basha tha se tani është në dorën e popullit, dhe me 16 shkurt, sipas tij zëri i vetëm dhe verdikti i vetëm që do të dëgjohet nuk janë fjalimet e politikanëve, vendimi i vetëm që do të merret dhe do të zbatohet do të jetë vendimi i popullit të bashkuar.

“Ju ftoj ti japim legjitimitetin e plotë këtij verdikti popullor, të jeni të bashkuar, edhe më shumë, të gjithë bashkë për të marrë fatin tuaj në duart tuaja, për një qeveri që u shërben juve”- tha ai./b.l/noa.al/