Transmetuar më 09-02-2019, 10:35

Një shqiptar, baba i dy fëmijëve dyshohet se ka vrarë veten në burgun “La Talaurdiere” në Saint Etienne në Francë. Kanë qënë një grup të dënuarish të tjerë, shqiptarë ata që kanë njoftuar për ngjarjen, duke treguar për kushtet, sipas tyre çnjerëzore në këtë burg.

Përmes një mesazhi të dëguar për JOQ, ata tregojnë se shqiptari L.M ishte vetëm 46-vjeç dhe se pas la dy fëmijë. Sipas tyre gardianët francezë kishin ushtruar dhunë mbi të.

Mesazhi i te burgosurve:

Përshëndetje JOQ! Ne që ju shkruajmë jemi një grup i madh shqiptarësh nga burgu “ La Talaurdiere ” Saint Etienne, Francë. Sot në këtë burg ka vrarë veten një shqiptar. Ishte vetëm 46 vjeç dhe baba i dy fëmijëve. Ndodhej këtu prej 4 muajsh dhe mbahej në burg padrejtësisht, megjithëse nuk kishte prova e fakte kundër tij.

Gjithmonë e kemi ditur që grekët janë racista, por francezët jua kalojnë dhe atyre për racizem. Jetojmë në një burg me kushte mizerabël, lagështi, pa ngrohje dhe me ushqim që as vendet e botës së 3 nuk e hanë. Shumicën e rasteve ushqimi nuk del për të gjithë të burgosurit dhe shumica e tyre ngelen pa ngrënë. Duhet të presim ditën tjetër që të shuajmë urinë. Punojmë gjithë ditën si skllevër dhe si perfundim as rrogën nuk na e japin të plotë sipas rregullave.

Nga rroga që punojmë, na mbajnë lekët për qera (dhomën e burgut), ujë, energji elektrike dhe ushqim. Me lekët e rrogës së pakët që marrim mundohemi të blejmë ushqime vet, por edhe ato na i shesin shumë herë më shtrenjtë nga çmimi real i tyre dhe për më tepër na i vonojnë pafund. Sikur të mos mjaftonin këto racizmi nga ana e gardianëve dhe punonjësve të tjerë francez është në kulm. Na përçmojnë dhe trajtojnë shumë keq.

Këtu të fusin në burg padrejtësisht, i zgjasin hetimet pafund dhe të trajtojnë si kafsh dhe jo si qënie njerëzore. Me sjelljen e tyre dhe kushtet e vështira të jetesës e zhveshin njeriun nga shpresa dhe dinjiteti, të marrin jetën dhe të shtyjnë në “vetëvrasje”. Shoku ynë Liman Meta ishte i ri, kishte familje, dy fëmijë që e prisnin dhe nuk kishte arsye të vriste veten. Sot në mëngjes kur e takuam ishte i qetë dhe i qeshur si gjithë ditët e tjera.

Më parë kishte pasur probleme me gardianët të cilët e kanë rrahur disa herë dhe të gjithë këtu dyshojnë që e kanë vrarë, dhe jo që ka vrarë veten. Ju lutemi të interesoheni për fatin e tij dhe të gjithë shqiptarëve të cilët vuajnë dënimet në burgjet jashtë Shqipërisë, ku na trajtojnë në kushte ç’njerëzore. Pas kësaj që ndodhi asnjë nga ne nuk e kanë marrë në pyetje për të marr ndonjë të dhënë apo informacion për shokun tonë.

Nuk kemi ku të drejtohemi tjetër për fatin tonë sepse deri tani as drejtësia dhe as Ambasada Shqiptare s’ka ndërmarrë asnjë veprim për këtë rast. Ambasada jonë nuk ka reaguar as kur familjarët tanë kanë shkruar letra për shqetësimet dhe padrejtësite që na bëhen duke na lënë si gjithmonë në mëshirë të fatit. Edhe energji nuk kemi na i kanë fik. Me respekt Shqiptarët e burgut “ La Talaurdiere ” Saint Etienne, Francë.”