Transmetuar më 08-02-2019, 18:50

Kryeministri Edi Rama ka publikuar takimin e ministres Elisa Spiropali me familjen e vajzës së mitur në Kavajë.

“Në fakt unë erdha sepse ti i pari erdhe në zyrën time dhe unë të falënderoj nga zemra që e pate guximin dhe u tregove aq fisnik dhe tregove për situatën se si po e përballoni familjarisht”, tha Spiropali.

Ndërsa babai i të miturës mes dëshpërimit u shpreh se kjo që i ka ndodhur atij, uron që të mos i ndodhë asnjërit, ndërsa shpreson që kjo ngjarje të jetë një mësim për të gjithë prindërit.

“Kjo që më ndodhi mua ju uroj të gjithë shqiptarëve që të mos i ndodhë asnjërit, por të jetë një mësim jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë prindërit të këshillojnë fëmijët si djemtë dhe vajzat.

Falënderim të veçantë për agjencinë shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve sepse kanë mbështetur në takimet me psikologët, vajza ka marrë kontakt me psikologët po kështu me ndihmën e madhe të ministrisë së Shëndetësisë.

Si vajza ime edhe si shumë të tjerë, ju uroj mbarësi në jetë sepse kam një vajzë inteligjente, kam një vajzë me nota shumë të mira, kam një vajzë që ka një kurajë që nuk mund ta përshkruaj dhe unë si prind”, u shpreh i ati i 14 vjeçares të përdhunuar.

Nga ana e saj Spiropali tha se, “Kjo që the është shumë prekëse, një baba që i qëndron vajzës së tij deri në fund dhe është mesazh për të gjithë prindërit. Është dhe për ato mesazhe që jepen në ekrane që në vend të jenë edukuese janë rrënuese.

Ua them me shpirt që këtu në këtë shtëpi dhe me fisnikërinë që ju tregoni jeni shembull për të gjithë. Sepse shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra se si përballen me sfidat, si përballen me raste të tilla, si e trajtojnë dinjitetin e njeriut, si i trajtojnë të miturit dhe ju po e trajtoni me fisnikërinë maksimale”.