Transmetuar më 07-02-2019, 11:52
Saimir Çullhaj

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit, për Saimir Çullhaj, 33-vjeçarin e arrestuar, pasi tentoi të trafikonte armë me kuti postare.

Ditën e sotme Apeli ka lënë në fuqi vendimin me 8 vite burg për të.

Në 6 dhjetor të vitit që lamë pas ishte Gjykata e Krimeve të Rënda ajo që dha dënimin ndaj tij.

Çullhaj u arrestua në 24 gusht 2017, pasi nëpërmjet postës tentoi të dërgojë në Angli, tre automatikë kallashnikov model 56, të cilët ishin çmontuar.

I riu bëri dërgimin e tre pakove me një prej agjencive të dërgesave postare, të cilat u konstatuan gjatë skanimit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Ishin gjurmët e gishtave në pako ato që zbuluan të riun, pasi fillimisht ai mohoi të kishte gisht në linjën e trafikut.

Por gjatë hetimeve 33-vjeçari deklaroi se një miku i tij me emrin Tani i kërkoi që ti dërgonte në Angli, pa e ditur se çfarë kishte brenda.

Lidhur me këtë rast, bashkëpunëtori i tij Neritan Faria, vijon të jetë në kërkim. /a.y/noa.al