Transmetuar më 06-02-2019, 16:20

Shumë bujë për asgjë!

Ishte shtatori i largët i vitit që shkoi, kur Edi Rama, gjithë pompozitet, deklaroi se të nesërmen e asaj dite që po fliste publikisht (14.09), nisnin fluturimet e rregullta

“Nesër pasdite do të jetë avioni i parë i Air Albania që fillon fluturimet pasnesër. Një muaj fluturime testi pastaj do të shkojë në Romë, Milano, Bolonja, Londër dhe Stamboll natyrisht”, – tha atëherë z.Rama, duke qartësuar se nga 15 tetori do të kishte fluturime të përditshme në Itali dhe Angli e Turqi. Madje ai tha se brenda pak muajsh do të kishte dhe fluturime në SHBA.

Asgjë nga këto nuk ndodhi.

Nuk ndodhi as ulja me 50 për qind e çmimeve të biletave të fluturimit, që premtoi po në shtator 2018, Belinda Balluku në cilësinë e drejtores së ANTA.

Dhe çfarë po ndodh aktualisht?

Air Albania është ineksiztente. Faqja në FB nuk poston asgjë që prej fund-shtatorit. Faqja në internet as që funksionon madje ka një shënim: Shitet!

FOTO: 

Qeveria nuk shprehet.

Kryeministri nuk flet dhe as Belinda Balluku, tashmë ministre, gjithashtu nuk flet.

Nga Turqia ama, po flasin.

Në mediat turke thonë se Erdogan i ktheu reston qeverisë “Rama” duke ia lënë në mes ëndrrën si për aeroportin e Vlorës nga i cili u tërhoq, ashtu dhe nga Air Albania.

Këtu sigurisht që kemi të bëjmë me një mungesë të theksuar serioziteti edhe të Turkish Airlines, si aksionere e Air Albania e cila nuk i mbajti premtimet e shprehura nga kryeministri për nisje fluturimesh.

Për më tepër, avionët që presupozohej se i kishte Air Albania dhe që Rama i nxirrte shpesh në rrjete sociale teksa ishin duke u branduar, janë rikthyer në Turqi te Turkish Airlines.

Këtë e pohon dhe “CH Aviation”, një portal zvicerian i specializuar për zhvillimet në industrinë e Aviacionit, i cili sot shkruan se projekti “Air Albania” është lënë në harresë, ndërkohë që avionët e siguruar nga “Turkish Airlines” janë rikthyer në Turqi.

Ch-Aviation thotë se avioni “Lasgushi” që u tha se ishte i Air Albania i është kthyer Turqisë për llogari të Turkish Airlines e ndoshta kryen fluturimet e saj.

Edhe kur bëri fluturimin e parë të provës avioni ‘Lasgushi’ i Air Albania, një agjenci e quajtur Airline Geeks shkroi për një ‘linjë misterioze’.

Madje dhe ato 3 fluturime që u bënë vec me studentë, gazetarë dhe pensionistë, ishin nën siglën e Turkish Airlines dhe nuk dukej kërrkund Air Albania sic shihni imazhin e mëposhtëm:

Kurse Murat Herdem i portalit turk ‘Airport Haber’ pohoi se bashkëpunimi i Turkish Airlines me Air Albania do të ishte blofi i radhës. Ai u shpreh se ishte si një ‘deja vu’ i bashkëpunimit të Turkish Airlines me Air Bosna, kur kompania përjetoi një eksperiencë të hidhur me humbje prej miliona eurosh.

Ideja për krijimin e kompanisë kombëtare të fluturimeve u njoftua për herë të parë në korrik të vitit 2017, si një nismë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Erdogan.

Në qershor të vitit 2018 u shpall krijimi i kompanisë “Air Albania” me 3 aksionerë: “Turkish Airlines”, “MDN Investment” dhe “Albcontrol”.

Zyrtarisht, qeveria shqiptare nuk do ta pranojë që Air Albania as filloi kurrë fluturimet dhe as nuk dihet nëse do të ndodhë ndonjëherë.

Kjo ndodh në kushtet kur shqiptarët e kanë pritur me ankth praninë e një linje ajrore shqiptare që do të ulte çmimet e kripura të fluturimeve nga Rinasi.

E ndërsa kjo po ndodh, shqiptarët nuk janë dhe shumë të surprizuar, pasi premtimet boshe i kanë ndjekur rregullisht nga pas këto 30 vjet tranzicion të pambarimtë. /noa.al/

Lexoni dhe:

PD: Zbulohet mashtrimi i Edi Ramës, "Air Albania" nuk ekziston, është "Turkish Airlines"

“Air Albania”, PD sulmon Ramën: Nga burojnë paratë e Sinan Idrizit?

Tabaku: 9 ditë pas themelimit, kompania e mikut të Ramës merr licencën e “Air Albania” për 100 mijë lekë