Transmetuar më 05-02-2019, 14:00
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjate deklarates

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku doli në një komunikim për mediat lidhur me projektin e Unazës së Re.

Ajo deklaroi se projekti është i përmirësueshëm, por jo i bllokueshëm dhe aq më pak i anulueshëm.

Sipas saj, nuk mund të merret peng nga askush dhe për asnjë arsye, një projekt aq kompleks dhe në një zonë ku intensiteti i banorëve është duke u rritur.

“Informoj për të larguar çdo mjegull mediatike se loti i dytë dhe i tretë vijojnë si pas procedurave dhe shpronësimi po bëhet sipas ligjit, ndaj kujtdo që ka titull pronësie. Familje në mes të katër rrugëve edhe kur nuk ka një titull pronësie ne nuk do të lëmë. Prishjet e godinave do të vijojnë sipas ligjit”, u shpreh Balluku.

Më tej ajo tha se vetëm pak ditë më parë Bashkia e Tiranës ka kaluar tetë plane zhvillimi në këshillin teknikë për parcela buzë unazës.

Sipas ministres, në këtë mënyrë u jepet banorëve të kësaj zone mundësi zhvillimi dhe marrëveshje me zhvilluesit për zhvillimin e asaj prone, kur janë në një shtëpi apo biznes pa dokumente.

“Kam vendosur zhvillimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që do të vlerësojnë në çdo aspekt teknik projektin e lotit të tretë, duke mos përjashtuar as mundësinë e rishikimit, nëse ka vend për rishikim që e përmirëson projektin”, tha Balluku.

Po ashtu ajo deklaroi se i fokusi i këtij vlerësimi do të jetë te nyja strategjike, e quajtur “Shqiponja”, ku çdo marzh përmirësimi do të konsiderohet me shumë seriozitet.

Ministrja tha se i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar që të përgatitet që çdo gare publike të jetë live, para kamerave dhe publikut.

Ndërkohë bëri me dije se për dy projektet strategjike të PPP-ve, Milot- Balldren dhe Orikum-Llogara do ia përcjell qeverisë dhe më pas parlamentit, për të siguruar një debat transparent në sytë e publikut.

Kjo deklaratë e ministres Balluku, vjen pasi fundjavën e kaluar Presidenti Ilir Meta priti në një takim banorët e Unazës së Re, të cilëve iu tha se ka ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje maksimale situatën, si dhe ka kërkuar prej kohësh me insistim informacion zyrtar shterues nga të gjitha instancat shtetërore përgjegjëse për këtë çështje.

Presidenti Meta u garantoi banorëve të “Unazës së Re” se së shpejti do të mbajë një qëndrim të qartë zyrtar, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore, si dhe në interesin më të mirë publik e qytetar. /a.y/noa.al