Transmetuar më 05-02-2019, 13:27

“Nxito apliko dhe ti, bëhu pjesë e Policisë së Shtetit!” Është ky apeli i Policisë së Shtetit për gjithë ata që duan të bëhen pjesë e forcave të rendit.

Bëhet me dije se në pesë ditët e para nga çelja e aplikimeve për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, kanë aplikuar online rreth 120 studentë që kanë përfunduar universitetin dhe masterin me rezultate të larta në shkencat juridike, shkencat ekonomike, në degët ekonomi, financë apo në shkencat kompjuterike, degët informatike, elektronikë.

Interesi i lartë i treguar nga të rinjtë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, thuhet se është inkurajues për organizatën e policisë.

Policia e Shtetit fton dhe nxit çdo student që përmbush kriteret të aplikojë online, deri në datën 15 shkurt 2019 në portalin aplikime.asp.gov.al.

Kriteret që duhet të përmbushin

Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:

– të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundra vajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):

– të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit:

-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;

– vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– intervistimi i aplikantëve;

– kontrolli shëndetësor;

– marrjes së shenjave të gishtave;

– verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën “nënkomisar”.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Studentët të aplikojnë në linkun: http://aplikime.asp.gov.al/apply /a.y/noa.al