Transmetuar më 05-02-2019, 08:24

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të martë me anë të një video për bazën ajrore të Kuçovës.

“Me këtë kronikë të mirëseardhur nga kanali televiziv i NATO-s kushtuar bazës së Kuçovës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në video thuhet se një varrezë aeroplanësh Mig gjendet në Shqipëri, ku Mig 15, 17 dhe 19, nuk përdoren më dhe se ata i përkasin kohës së regjimit komunist në Shqipëri dhe vendndodhja e tyre është baza ajrore e Kuçovës.

Nënvizohet se në Kuçovë ka pasur gjithnjë e më pak aktivitete me kalimin e viteve.

Po ashtu thuhet se NATO ka rënë dakord që të investojë 51 milionë euro për të modernizuar bazën e Kuçovës.

Nga ana e tij Presidenti Ilir Meta duke folur për këtë investim thotë se kjo gjë tregon se aleanca është ende shumë aktive në rajonin tonë dhe se Shqipëria është një anëtar i besueshëm i NATO.

Më tej flet gjenerali i NATO-s, Tod Wolters, i cili pak ditë më parë ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë, dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Video mbyllet me Kryeministrin Edi Rama i cili thotë se të qenit pjesë e NATO-s i jep një vendi, një burim të ri energjie për të ecur përpara “dhe kjo është ajo që absolutisht na bën të ndihemi me kaq fat të jemi këtu dhe të jemi pjesë e kësaj organizate”. /a.y/noa.al