Transmetuar më 25-01-2019, 12:05

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili komenton publikimin nga autoritetet policore gjermane të një libri me titull “Partner kriminel në aleancën strategjike”, duke iu referuar pastrimit të parave të pista në Shqipëri.

Vasili tha se pastrimi kriminal i parave bëhet vetëm për pasurimin e Kryeministrit Edi Rama dhe klikës së tij, ndërkohë që shumica e shqiptarëve zhyten në varfëri dhe mjerim. Ai deklaroi gjithashtu se një bankë shqiptare, është një produkt offshore dhe e licencuar në dhunim flagrante të ligjit.

Sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka tundur kambanat e alarmit, pasi paratë pastrohen haptazi dhe përshkruan dhe se ku ndodh ky pastrim parash dhe se njëherazi evidentohen, po nga raportet edhe të Policisë Gjermane, por dhe të Këshillit të Europës dhe të DASH, edhe çarjet në sistemin financiar shqiptar.

“Ne kemi mundur në sytë e prokurorisë shqiptare, në sytë e Bankës së Shqipërisë dhe të Guverantorit të saj, në sytë e këtij Kryeministri, tërësisht të kapur dhe të kriminalizuar, që një bankë shqiptare është produkt offshore, pikërisht ABI Bank dhe e licencuar në dhunim flagrant të të gjitha rregullave të Bankës, në mungesë të plotë të transparencës, sipas atyre rregullave që kjo bankë kërkon, dhe kurrkush nuk lëviz gishtin përveçse mbizotëron një heshtje e plotë”, u shpreh Vasili.

Ai denoncoi se të gjitha palët në qeverisje dhe të gjitha instrumentet ligjzbatuese janë në një heshtje, në një sinkron të plotë, pasi këto mekanizma të pakontrolluara, të paverifikuar dhe në këtë klimë të pastrimit të parave do të thotë që u hapet rrugë e gjerë, duke menduar vetëm e vetëm për pasurimin e paligjshëm, ilegal, kriminal të kryeministrit, dhe të një klike të vogël që e rrethon.

Vasili tha se shqiptarët duhet të kuptojnë që kjo është një çështje tragjike, pasi të mos çuditen aspak kur të konstatohet një kolaps i menjëhershëm dhe i rrufeshëm i ekonomisë, i pandalshëm dhe me pasoja shkatërrimtare.

Për të, ndalja e kësaj veprimtarie kriminale me dimensione të frikshme ka vetëm një mundësi, “të gjithë së bashku, të gjithë në protestë, për të mbrojtur fatin e fëmijëve, të bizneseve, të punës së ndershme, dhe të të ardhmes së vendit”. /a.y/noa.al