A do të paguhet taksa e pronës për vitin 2019?
Transmetuar më 24-01-2019, 14:27

Qeveria “Rama” ka hedhur për zbatim një metodologji të re për të arkëtuar taksën mbi pronën e patundshme, duke synuar të rrisë vlerat që duhet të paguajnë pronarët e objekteve.

Kjo metodologji e re, sipas ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, bazohet në çmimin e tregut dhe duhet të aplikohet duke nisur nga janari që jemi.

Këtë taksë e përfitojnë bashkitë e vendit dhe ajo futet brenda faturës së ujësjellës-kanalizimeve të çdo bashkie.

Por a janë gati vetë bashkitë që të aplikojnë këtë metodologji të re taksimi të pronës?

Aktualisht, nga 61 bashki, në 28 prej tyre kjo taksë vilet tek fatura e ujit, ndërsa pjesa tjetër e njësive vendore janë në fazën e përcaktimit të agjentit, që do të mbledhë taksën.

“Ne si zyrë qendrore jemi në pritje të vendimeve të këshillave bashkiak të cilët do të zyrtarizojnë agjentët për mbledhjen e kësaj takse. Deri tani kemi 28 bashki që e vjelin tek fatura e ujit. Por mbetet për tu parë se kë do zgjedhin njësitë e tjera”. –thotë Enton Duro, drejtor i taksës së pasurisë në ministrinë e Financave.

Ndonëse afati fillestar i zbatimit të metodologjisë së re ishte prilli i 2018, ai nuk u realizua pasi nuk përfundoi kadastra fiskale e pronave. Por sërish edhe këtë vit, mungesa e të dhënave për pasuritë, do të vijojë të mbetet sfida kryesore e bashkive, e duket se procesi dot ë kërkojë një vetëdeklarim të banorëve.

“Nga 1.5 milion pasuri, për 600 mijë prej tyre kemi të dhëna të sakta për vendndodhjen dhe sipërfaqen, pjesa tjetër është detyrë e bashkive të verifikojnë të dhënat për të cilat do të kenë edhe ndihmën e institucioneve të tjera, si hipoteka, ALUIZNI”, – thotë Duro.

E sfida tjetër me të cilën do të përballet ky proces është edhe fakti se 2019 është një vit elektoral. Bashkitë do të përqendrohen më shumë në procesin zgjedhor, çka rrit natyrshëm mundësinë që arkëtimi i të ardhurave si dhe verifikimi i të dhënave të pasurive të çalojë ose dështojë edhe këtë vit.