Transmetuar më 24-01-2019, 13:53
Ministrja Balluku gjate deklarates

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se të gjitha HEC-et, që janë licencuar do të kalojnë në proces skanimi.

Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ministrja tha se vetëm 96 kontrata janë operative, ndërkohë që ka shumë më shumë kontrata jo operative se sa operative, për të cilat do të shikohet vazhdimësia.

“Do të bëjmë skanim për çdo subjekt të licencuar dhe çdo HEC dhe subjekt realizues. Procesi do të ndiqet nga një grup pune, i udhëhequr nga zv.ministri dhe do të mbështetet në dy kritere. Kriteri i parë është përputhshmëria ligjore dhe përmbushja e kushteve kontraktuale nga subjektet e licencuara, duke përfshirë kushtet teknike dhe afatet. Ndërsa

kriteri i dytë është ai i përputhjes së kushteve mjedisore. Do të skanojmë nëse kontratat ekzistuese janë në përputhje me kushtet mjedisore dhe standardet e kërkuara në zonat përkatëse”, u shpreh Balluku.

Ministrja deklaroi se do të bëhet ngrirja e kontratave operative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre.

Lidhur me HEC-in e Holtës, i cili rrezikon kanionet e Gramshit, Balluku tha se bashkë me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi do të shtrohet rasti për diskutim me komunikim me komunitetit.

“Vërtetë duam të zhvillojmë në ekonominë, por mund të dëmtojnë shumë më tepër pasuritë natyrore. Ndaj na duhet një linjë perfekte mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së pasurive natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe e pasurive që kemi”, deklaroi në mbyllje ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. /a.y/noa.al