Transmetuar më 22-01-2019, 18:40

Edhe pse kanë kaluar dy vjet që nga përfaqësimi i saj në Eurovizion, Linda Halimi akoma nuk është shlyer nga detyrimet me RTSH-në. Kënga “oWrld”, me të cilën Linda u përfaqësua në Eurovizion, ishte një ndër performancat më të komentuara dhe zëri i artistes shqiptare, një prej vokaleve më të mirë të vlerësuar nga kritika muzikore në edicionin e atij viti.

Megjithatë, me gjithë suksesin që pati kënga dhe Linda në skenën e Kyiv, në Ukrainë, një “faturë” akoma nuk qenka shlyer.

Në një bisedë me fansat në profilin e saj në Instagram, Linda ka zbuluar se RTSH i ka mbetur borxh këngëtares. Pas pyetjes së njërit prej fansave nëse do t’i rikthehet më festivaleve, Këngës Magjike apo edhe RTSH-së, ajo përgjigjet: “Të ardhmes s’i dihet! Por momentalisht, RTSH akoma më ka borxh, kështu që s’besoj.”

Prej vitesh, këngëtarja jeton e punon në SHBA dhe aktualisht po punon me projekte të reja për të risjellë shumë shpejt këngë të reja jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe për atë ndërkombëtar.