Transmetuar më 22-01-2019, 11:47

Komisioni Kombëtar për Informatikën dhe Liritë, “xhandarmëria’’ franceze e të dhënave personale, njoftoi se ka vendosur masën administrative me gjobë për kompaninë Google, në vlerën 50 milionë euro.

Kjo është vlera më e lartë e gjobave vënë ndonjëherë kompanive të internetit.

Gjoba erdhi në kuadër të zbatimit të masave të reja shtrënguese për mbrojtjen e të dhënave personale të lundruesve në internet, që hynë në fuqi më 25 maj 2018.

Autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave private tha se vendosi këtë gjobë, pasi e konsideron të pamjaftueshëm informacionin e Google për shfrytëzimin e të dhënave personale të përdoruesve të tij.

Komisioni Kombëtar për Informatikën dhe Liritë në këtë mënyrë, po përdor armët e reja të parashikuara nga BE-ja për të mbrojtur të dhënat që lidhjen drejtpërdrejtë me shtetasit e saj në Rregulloren Europiane të Mbrojtjes së të Dhënave, e cila hyri në fuqi më 25 maj.

Ky legjislacion i ri parashikon gjoba deri në 4% të shumës së operacioneve tregtare për kompanitë që nuk respektojnë privatësinë e përdoruesve të shërbimeve të tyre, veçanërisht për qëllime reklamimi të targetuara.

Google përdor targetimin e reklamave duke shfrytëzuar çdo informacion që arrin të mbledhë lehtësisht nga personat që hyjnë në motorët e kërkimit si dhe nga faqet që hyjnë automatikisht në motorin e kërkimit Google. /noa.al/