Ministrja Balluku, anulon PPP Thumanë-Kashar: Fondi i shkon “Paktit për Universitetin”
Transmetuar më 21-01-2019, 14:04
Ministrja Belinda Balluku

Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se qeveria

tërhiqet nga partneriteti publik privat, për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar.

Ajo tha se tërheqja nga një projekt prej 225 milionë euro, vjen në mënyrë që fondi të shkojë në funksion të “Paktit për Universitetin”.

“Kam vendosur të bëj ndërprerjen e partneritetit publik privat  të aksit Thumanë-Kashar. Buxhetin e saj do t’ia dedikojmë “Paktit për Universitetin”, u shpreh Balluku në konferencën e parë për media si ministre.

Ajo shtoi se aksi vijon të ketë rëndësi, por se momentalisht vëmendja i shkon me prioritet gjendjes së universiteteve.

Kjo marrëveshje e tipit PPP ka kushtuar 337.5 milionë euro dhe vazhdimisht ka qenë në qendër të akuzave për korrupsion që opozita e djathë i ka bërë qeverisë “Rama” duke paralajmëruar se do ta anulojë sapo të vijë në pushtet.

Gener 2 fiton garën për Thumanë-Kashar mes katër kompanive, oferta 225.8 milionë euro

Më 16 korrikun e kaluar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin për kontratën me objekt ndërtim dhe mirëmbajtje te rrugës Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar nëpërmjet formës se dhënies me koncesion/PPP. Ky projekt pjesë e paketës “1 miliardë për rindërtim” është i dyti që ka një fitues të shpallur pas Rrugës së Arbrit për të cilën situata është më e avancuar ku kemi një kontratë të nënshkruar dhe punime në terren të nisura tashmë.

Ashtu siç pritej kompania që ka fituar procedurën është Gener 2 e cila përmes ofertës së pakërkuar e nisi garën me një bonus 8.5 pikë në raport me ofertuesit e tjerë. Kjo kompani ofroi 225.8 milionë euro nga 245 milionë euro që ishte fondi limit i vendosur nga qeveria në nisje të procedurës së prokurimit. Në garë gjithsesi kanë marrë pjesë edhe tre operatorë të tjerë.

Tenderi, katër oferta

Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se kanë marrë pjesë në procedurën e prokurimit katër operatorë. Oferta më e ulët gjithsesi është bërë nga Gener 2.

“Njoftojmë se, kane qenë pjesëmarrës ne procedure këta ofertues me ofertën përkatëse te ofruara:

Shoqëria “Gener 2” sh.p.k. me vlere ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 225,821,553 Euro;

Shoqëria “Gjikuria” sh.p.k. me vlere ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 274,588,575 Euro;

Shoqëria “Alpin” s.r.l. me vlere ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 283,809,745 Euro;

Shoqëria “Gruppo Adige Bitumi” s.p.a. me vlere ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 298,402,895 Euro.

Janë skualifikuar ofertuesit e mëposhtëm: Shoqëria “Gjikuria” sh.p.k.; Shoqëria “Alpin” s.r.l.; Shoqëria “Gruppo Adige Bitumi” s.p.a” thuhet në njoftimin e MIE publikuar nga APP.

Projekti i rrugës

Gjurma e rrugës fillon nga Thumana, 150 m në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës. Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë -Durrës).

Kushtet për PPP

Dhënia me koncesion /PPP “Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”, do të bëhet përmes parimit të “Projektit me Çelësa në dorë”. Kushtet thelbësore të kësaj procedure përfshijnë:

Objekti i kontrates sē koncesionit/PPP: “Ndërtimi dhe Mirëmbajtja e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”

Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP: 13 vjet

Aktivitetet për t’u kryer nga koncesionari: “Ndërtimi dhe Mirëmbajtja e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar” sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues.

Burimet e të ardhurave të Koncesionarit: një pagesë disponueshmërie vjetore e pagueshme nga Autoriteti Kontraktues për Koncesionarin, niveli i së cilës do të përcaktohet në ofertën e paraqitur nga konkurrentët.

Pagesa e parë e këstit do të kryhet nga Autoriteti Kontraktues, kur Koncesionari të ketë kryer jo më pak se 25% të punimeve.

/a.y/noa.al

“Pakti për Universitetin”, del dokumenti i plotë