Ulet kërkesa e shqiptarëve për kredi, si po financohen jashtë vendit
Transmetuar më 21-01-2019, 07:30

Kredia nga bankat jashtë vendit po e ndikon negativisht kërkesën për kredi në bankat vendase.

Banka e Shqipërisë gjeti, në vrojtimin e fundit të kredisë së përdorimi i huasë nga bankat e tjera ka ndikuar në rënien e kërkesës së individëve për financim në tregun e brendshëm.

Banka e Shqipërisë e shtoi në qershorin e vitit të kaluar “kredinë nga banka të tjera” si opsion i financimeve nga burimet alternative që përdorin individët.

Individët për të tretin tremujor radhazi pohuan se huamarrja nga bankat jashtë vendit ka qenë në rritje. Gjithashtu konsumatorët po përdorin gjithnjë e më shumë financimet nga institucionet financiare jo bankare për plotësimin e nevojave.

Kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e fundit të vitit, në sajë të kërkesës së shtuar për kredi konsumatorë. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi me qëllim blerje banese u perceptua më e ulët nga ana e bankave.

Pritjet e bankave për tremujorin e parë të vitit 2019 flasin për shtim të kërkesës për kredi nga ana e individëve, në të dyja kategoritë.

Tek kreditë për individë, interesat janë ulur veçanërisht për kreditë hipotekare, ndërkohë që interesat për financimin e kredisë konsumatorë kanë treguar ecuri të luhatshme

Në muajt tetor-nëntor, kredia për individë ka shfaqur normë të ngjashme rritjeje vjetore me tremujorin e tretë, në rreth 7.8%, shkruan ‘monitor’.

Pavarësisht se kjo normë është më e ulët se në gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia për individë ka dhënë kontributin më të lartë në zgjerimin e kredisë për sektorin privat në terma vjetorë. E parë në një këndvështrim më afatgjatë, kjo ecuri lidhet me kushtet e lehtësuara të kreditimit në këtë segment, mbështetur dhe nga rritja e vazhdueshme e kërkesës. Kjo e fundit raportohet me rritje edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit, si në segmentin konsumator, ashtu edhe në atë për blerje banese.

Portofoli i kredisë konsumatorë dhe i kredisë për blerje banese shënuan normë të njëjtë rritjeje, mesatarisht me rreth 7.8% për muajt tetor-nëntor. Në krahasim më gjashtëmujorin e parë të vitit, vihet re se dinamikat e rritjes të këtyre portofoleve janë shfaqur në kahe të kundërta, kështu kredia për blerje banese ka përmirësuar ritmet e rritjes, ndërsa ajo konsumatore i ka ngadalësuar.