Transmetuar më 20-01-2019, 14:06

Nga Altin Gjeta

Ballkani ka qenë gjithmonë i aftë të prodhojë ngjarje me rezonancë përtej fuqisë dhe shtrirjes së vet. Kështu, në fillim të shekullit XX edhe pse nën grahmat e fundit, i dha goditjen përfundimtare perandorisë osmane, në Korrik të 1914 ndezi fitilin e Luftës së Madhe, dhe e mbylli shek. XX me luftrat e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Në secilën prej tyre këtyre ngjarjeve, shqiptarët kanë shkuar përmes vrimes së gjilpanës. Ata luftuan dhe fituan të fundit mëvetësinë nga Porta e Lartë, por u gjymtuan territorialisht. Nuk u bënë pjesë e Luftës së Parë botërore, por u shkatërruan materialisht dhe juridikisht. Ndërsa, pasi provuan genocidin mbi kurriz në vitet ’90, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar u lirian nga zgjedha serbe dhe në fillim të shek. XXI, Kosova u shpall shtet i pavarur e demokratik.

Pothuajse pas dy dekadash përparime, shqiptarët duket se gjenden përsëri në një moment kritik për fatet e kombit të tyre. Sigurisht, situata nuk është aq dramatike si në të kaluarën, por ajo mund të rrëshqasë dhe marrë me vete në humnerë sukseset e arritura. Shqiptarët tashmë i kanë dy shtete në rajon, janë pjesë shtet-formuese në Maqedoni e cila pas një dhjetëvjeçari të mbrapshtë duket se është kthyer në rrugën euro-atlantike, pulsojnë në Mal të Zi dhe ndihen në luginën e Preshevës. Megjithatë, pas një periudhe stabilizimi dhe forcimi të faktorit shqiptar në rajon, debati i hapur së fundi mbi mundësinë e korrigjimit të kufijve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e ka zhytur interesin kombëtar në një pus andrallash të panevojshme. Veçanërisht, pozicioni ynë është vulnerabilizuar edhe më shumë kur ky projekt është përcjellë në shqip, gjegjësisht nga presidenti i Kosovës z.Hashim Thaçi.

Në verën e kaluar, si për habi të të gjithëve, z.Thaçi hodhi në publik idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë pa e shpjeguar as një çast se ku dhe si konsistone ky plan. I ndodhur nën trysninë e publikut, ai disa herë ka dhënë versione të ndryshme të kësaj ideje duke e konfonduar edhe më tej opinionin shqiptar dhe europian. Sikur të mos mjaftone kjo, edhe Tirana zyrtare nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë përkundrejt kësaj ideje. Madje ka nga ata që shkojnë më tej, duke e akuzuar kryeministrin Rama si përkrahës të saj. Ndryshimet e fundit në qeverinë shqiptare dhe e gjithë gjurulldia që shkulmoi rreth Ministrit të ardhshëm për Europën dhe Punët e Jashtme duket se më shumë e aprovon këtë tezë sesa e rrëzon.

Çfarë do të thotë për Kosovën dhe shqiptarët përkrahja e idesë për ndryshimin apo korigjimin (sofizma diabolike) të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë? Së pari, duhet të kuptojmë të gjithë se politika e jashtme është kontekstuale. Ajo është moment diplomatik, konjukturë ndërkombëtare, ambicie liderësh dhe mjeti më i mirë që një politikan ka në dorë për të çuar përpara interesat kombëtare. Rrjedhimisht, nga ky lloj përkufizimi del se përkrahja e idesë së ndryshimit të kufijve në këtë moment mes Kosovës dhe Serbisë bie në kundërshtim më interesat e Kosovës, por edhe me ato kombëtare. Më poshtë do të mundohem ta shpjegoj këtë.

Kur Kosova po i afrohet vitit të 11-të si shtet i pavarur, është njohur nga rreth 115 shtete të botës, duke përfshirë top-fuqitë perëndimore si SHBA, Britania, Franca dhe Gjermania. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës është e pakthim. Megjithatë, forcimi dhe konsolidimi i saj është proces, i cili domosdosmërisht përfshin edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë këndvështrim ajo duhet mbështetur si palë e barabartë në bisedime në respekt të kushtetutës së saj, vendimit të GJND-së, dhe vullnetit të popullit të Kosovës. Kjo do të thotëse çdo variant për këmbim territoresh do të hidhte në erë të këto tri shtylla mbi të cilat qëndron sot Kosova. Për më tepër, çdo pazar eventual territoresh rrezikon të shkatojë efekt domino në të gjithë rajonin i cili do ta zhyste atë në krizat e mëparshme ku shqiptarët kanë qenë më të dëmtuarit. Njohja e Kosovës nga Serbia sigurisht do të ishtë një hap pozitiv, por vlen të thuhet se Kosova nuk ka përse ta kërkojë më ngulm këtë. Përkundrazi, është Serbia e cila e ka kusht sine-qua-non normalizmin e marrëdhënieve me Kosovën në mënyrë që të avancojë drejt antarësimit në BE. Në këtë kuptim, Prishtina ka një kartë të fortë në dorë me të cilën, me durim mund të luajë në interes të saj. Andaj, çdo pëllambë tokë në këmbim të karriges së OKB-së do të ishte një çmim shumëi lartë dhe i parakohshëm.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kohët e fundit në Prishtinë edhe Tiranë, plani për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, po mundohet të paraqitet nga mbështetësit e tij si udhëhapësi i Shqipërisë së madhe. Jam i mendimit, se çdokush që flet për Shqipërinë e madhe në kontekstin ndërkombëtar ku ndodhemi, ose është naiv ose synon të kundërtën. Në bisedën e fundit që pata me udhëheqësin tim të disertacionit, profesorin e asociuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universiteti të Ëestminsterit në Britani, Aidan Hehir, i cili është marrë dhe merret me Kosovën, më tha shprehimisht se “kancelaritë europiane janë të tmerruara nga termi Shqipëri e madhe”. Sigurisht, brenda këtyre pallateve të hijshme ku pihet verë dhe ravijëzohen kufij, ka sa të duash albanofobë. Por, nuk duhet të harrojmë se aty, në këto kështjella, ka gjetur mbështjetje edhe projekti i Kosovës së pavaruar.

Britania e Madhe e cila ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës, sot ndodhet e kyçur në një krizë të brendshme politike në lidhje me daljen nga BE. Në këtë kuptim, agjenda e Foreign Office është nën diktatin e Brexit. Franca, mbetet enigmatike ose më saktë, më pranë Serbisë po të ndjekim trajektoren historike. Gjermania e kancelares Merkel, është e vetmja fuqi e cila është shprehur qartë kundër një projekti shkëmbimi territoresh mes Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkohë, SHBA të cilat kanë qenë udhëheqësit e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe të shpalljes së pavarsisë së saj, nën administratën e Trump duket se gjërat kanë ndryshuar paksa. Në fillim, këshilltari i Presidentit për Sigurinë, John Bolton, u shpreh se SHBA mbështet çdo marrëveshje të arritur mes palëve (duke nënkuptuar edhe një të tillë me shkëmbime territoresh, mjaftonte të ishte e pranueshme mes palëve), çka përbën një zhvendosje të politikës amerikane përkundrejt kësaj çështje. Si të mos mjaftonte kjo, vetë presidenti Trump i’u drejtoi së fundi një letër të barazpeshuar mirë të dy liderëve, të Kosovës dhe Serbisë, ku i nxiste të shkonin drejt një marrëveshje, pa bërë dallim mes agresorit dhe viktimës. Nga na tjetër, presidenti Vuçiç ka futur në lojë aleatin e vjetër. Në një shkrim të fundit të Al Jazeera-s theksohet se “Rusia gjithashtu duket se po mbështet planet e tij për të arritur një marrëveshje me presidentin kosovar, Hashim Thaçi, potencialisht bazuar në një shkëmbim territoresh mes vendeve. Për Serbinë, njohja e Kosovës si shtet sovran do të ishte e dhimbshme. Por, do të zhdukte gjithashtu pengesën më të madhe për anëtarësimin e vendit në BE”.

Në këtë kontekst ndërkombëtar, të flasësh për korrigjime kufijsh apo të mërmërisësh Shqipërinë e madhe, gjykoj se është një aventurë pa krye. Prishtina dhe Tirana duhet të flasin në një zë, të jenë në një gjatësi vale pasi momenti është delikat. Tirana zyrtare, në vend që të minojë pozicionin e Prishtinës duhet të jetë mbështetëse e saj dhe vullnetit të popullit të Kosovës i cili është gjerësisht kundër kësaj ideje. Ata që nëpër dhëmbë e justifikojnë këtë projekt me Shqipërinë e madhe, mendoj se rrezikojnë të ushqejnë projektin e Serbisë së madhe. Në vend të kësaj dritëshkurtësie, të dy vendet duhet të punojnë që të forcohen ekonomikisht, demokratikisht dhe të shtrëngojnë lidhjet mes njëri-tjetrin. Vetëm si dy vende moderne, me ekonomi dhe vetëdije të zhvilluar mund të shkohet drejt bashkimit kombëtar në një moment të volitshëm pa humbur as edhe një copë tokë nga trungu amë. Në fund të fundit, Gjermania, një superfuqi ekonomike, politike dhe intelektuale priti 45 vite për t’u bashkuar. Ne kemi pritur 100 vite për Kosovën e lirë dhe të pavarur, andaj mendoj se koha kërkon që të jemi të duruar dhe të pjekur në hapat që do të hedhim për të ardhmen.

*Autori po kryen studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë pranë Universitetit të Westminsterit, Londër.