Transmetuar më 19-01-2019, 08:27
Fatmira Halipaj

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të shtunë me historinë e një gruaje nga Durrësi, e cila gjeti zgjidhje për pensionin e saj, të cilin ia kishin llogaritur gabim.

“Me rrëfimin e dikujt që kishte humbur çdo shpresë, ndërkohë që i mjaftoi një klik për të fituar të drejtën e mohuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Në videon që gjeni më poshtë, tregohet ankesa e një gruaje te platforma e bashkëqeverisjes ‘Shqiperiaqeduam.al’.

Fatmira Halipaj, me banim në Durrës, tregon se nga viti 1970 deri në vitin 1997, ka punuar në kombinatin e drurit në Laç me profesion elektro-inxhiniere, ngarkim-shkarkim vagonësh, makina me trupa.

“Kam punuar 26 vjet e 7 muaj. Në vitin 2012 dola në pension, të cilin ma kanë llogaritur gabim. Bëra kërkesë te sigurimet shoqërore në Durrës, por më thanë që është vendim VKM. Sipas dokumenteve, më kishte dalë 160 mijë lekë të vjetra, ndërsa unë marrë 87 mijë. Nuk e kuptoj se si mund të punosh një jetë të tërë dhe të mos marrësh atë që të takon”, shkroi gruaja në ankesën e saj.

Më tej në video e moshuara tregon se pas aplikimit iu dha një pension prej 155 mijë lekësh të vjetra dhe kompensim prej 1 milionë e 300 mijë lekësh të vjetra.

“Mu duk sikur më dhanë diçka e madhe, sepse isha vrarë shumë”, thotë gruaja. /a.y/noa.al