Transmetuar më 18-01-2019, 14:34

Pedagogët e fakultetit të Histori-Filologjisë, kanë dalë me vendim që ditën e hënë të bëjnë protestë.

Vendimi u mor pasi u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, duke deklaruar se Vendimet e Këshillit të Ministrave, cenojnë autonominë e Universitetit.

Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, e mbledhur sot më datë 18 janar 2018, me kërkesën e një të tretës së personelit akademik, në përputhje me nenin 45 të Statutit të Universitetit të Tiranës, diskutoi mbi gjendjen e krijuar në universitetet publike të vendit dhe rikonfirmoi përkrahjen për kërkesat e studentëve, duke dënuar çdo formë presioni ndaj tyre. Asambleja kërkon:

– Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, si shkaktari kryesor i gjendjes aktuale të krijuar në institucionet e Arsimit të Lartë.

-Shpreh kundërshtinë me aktet nënligjoreː

– VKM˗të e datës 26 dhjetor 2018ː Nr.777, Nr.781, Nr.783, si dhe

-urdhrat e Kryeministrit të datës 26 dhjetor 2018ː Nr.183, Nr.184, Nr.185 dhe Nr.186.

Këto akte dhe urdhra cenojnë rëndë autonominë e IAL-ve dhe liritë akademike të profesoratit, në këto pika:

Autonominë në vlerësimin e punës shkencore dhe të karrierës akademike. Liritë akademike të profesoratit në përcaktimin e përmbajtjes së njohurive që jepen në auditor. Shkelin plotësisht konventat europiane për autonominë universitare dhe liritë akademike.

-Kërkon ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorë politikë dhe qeveritarë, që synon intimidimin e fjalës së lirë.

-Kërkohet të sanksionohet me ligj statusi i pedagogut.

-Në përgjigje të kërkesës së Asamblesë së personelit akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, propozojmë që përfaqësues të asambleve të personelit akademik të Universitetit të Tiranës të mblidhen për të koordinuar veprimet e mëtejshme.

-Për të tërhequr vëmendjen urgjente ndaj këtyre kërkesave, Asambleja vendosi të shpallë ditën e hënë, datë 21 janar 2019, një ditë grevë paralajmëruese të pedagogëve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. /a.y/noa.al

Rama, pedagogëve: Për budalla s’më bëni dot! Jeni ju problemi, shfaqje me dy fytyra