Zbulohet emri i personit të shpallur në kërkim nga policia, si të dyshuar për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjteje në Korçë.
Ai është Olgert Mustafa, me banim në lagjen nr.10 në Korçë, i cili rezulton të jetë person me precedentë penalë, i skeduar nga policia.
Mustafa akuzohet se pas një sherri në një lokal të zonës, me viktimën, Altin Balliu 35 vjeç, nga fshati Slabinjë e Pogradecit, situata ka degraduar.
Konflikti ka nisur pasi makina e një prej shokëve të 35-vjeçarit, kishte bllokuar rrugën. Kështu ka lindur një sherr masiv në lokal.
Mendohet se i dyshuari për krimin, pas konfliktit e ka ndjekur dhe i ka bërë pritë, duke e ekzekutuar në befasi Balliun.
Viktima u gjet nga kalimtarë të rastit në trotuar, me një plumb në kokë dhe një tjetër në trup.
Lidhur me ngjarjen, policia tha zyrtarisht se, “Rreth orës 21:25, në lagjen nr.10 në Korçë, është vrarë dyshohet me armë zjarri një shtetas rreth 30 vjeç, ende i paidentifikuar. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që viktima ka pasur me autorin e ngjarjes. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”. /a.y/noa.al